Lluka në Kanada për të sjellë investitorë në sektorin minerar - Bota Sot
Lluka në Kanada për të sjellë investitorë në sektorin minerar

Ekonomi

Lluka në Kanada për të sjellë investitorë në sektorin minerar

Më: 5 mars 2019 Në ora: 09:47
Foto nga takimi

Në ditën e parë të kësaj vizite, Ministri Lluka së bashku me delegacionin kosovarë ka takuar Kryetarin e Odës Ekonomike të Ontarios, z. Rocco Rossi, të cilin e ka njoftuar nga afër për të gjitha ndryshimet ligjore që kanë ndodhur gjatë vitit 2018, duke përfshirë edhe statutin e “Trepçës”. Oda Ekonomike e Ontarios do të ndihmoj me promovimin e projekteve minerare në Kosovë tek kompanitë kanadeze.

Ngjarja më e rëndësishme e ditës ishte samiti ndër ministror, organizuar nën patronatin e Ministrit të Burimeve Natyrore të Kanadasë, z. Amarjeet Sohi, ku mbi 30 ministra dhe lider të fushës së energjisë dhe minierave morën pjesë për të diskutuar rreth politikave zhvillimore të këtij sektori, duke biseduar për trendët e sektorit minerar që parashihet të ketë një zhvillim jashtëzakonisht të madh duke konsideruar që panelet solare, turbinat me erë, bateritë për deponim të energjisë, makinat elektrike dhe elektrifikimi i ekonomisë në përgjithësi përdorin minerale të ndryshme që pritet të rrisin eksploatimin për mbi 1000%.

Gjithashtu u shkëmbyen praktikat më të mira në zhvillimin e sektorit minerar dhe njëkohësisht e mbyllëm tregun e bursës se minierave të Torontos. Ministri Lluka në ceremoninë e hapjes së PDAC 2019 ka zhvilluar një takim edhe me Presidentin e saj, z. Glenn Mullan, të cilin e ka njoftuar për potencialin që ofron Kosova në sektorin minerar.

Ndërsa sot, Ministri Lluka do të mbajë një prezantim para investitorëve potencial për mundësitë për investime të cilat i ofron Kosova në sektorin minerar, për të vazhduar agjendën me Zv/Ministrin e Energjisë të Republikës së Turqisë, z. Mithat Cansiz.

Gjithashtu Lluka do të takoj edhe disa nga kompanitë kanadeze siç janë Avrupa edhe Trevali të cilat tashmë vetëm se kanë filluar investimet në sektorin minerar në vendin tonë.

Në këtë drejtim, z. Lluka poashtu do të takoj edhe rrjetin e bizneseve shqiptare në Kanada.

Ministri Valdrin Lluka gjatë qëndrimit në Toronto të Kanadasë po promovon potencialin e jashtëzakonshëm të cilin e ofron Kosova në sektorin minerar, përfshirë këtu edhe infrastrukturën ligjore, gjegjësisht ligjin për investime strategjike.

Kanada është një nga vendet më të njohura në zhvillimin e sektorit minerar, rrjedhimisht prezantimi i ministrit Lluka për resurset të cilat ofron Kosova në këtë sektor ka zgjuar interesim të madh tek shumë kompani serioze në veprimtarinë minerare. Qëllimi kryesor është sjellja e investitorëve serioz në vendin tonë.
 

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...