Kelmendi: Konsumatorët më s’po blejnë produkte të Serbisë, i kemi zëvendësuar 95 % të tyre

Ekonomi

Kelmendi: Konsumatorët më s’po blejnë produkte të Serbisë, i kemi zëvendësuar 95 % të tyre

Më: 9 prill 2019 Në ora: 20:53
Biznesmeni dhe deputeti i LDK’së, Ramiz Kelmendi

Biznesmeni dhe deputeti i LDK’së, Ramiz Kelmendi ka thënë se konsumatorët më nuk janë të interesuar të blejnë produkte serbe, pas vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se taksa ka qenë veprim politik, por që ka pasur rol pozitiv për prodhuesit vendorë.

“Taksa po dihet që është veprim politik, po megjithatë ka pasur rol pozitiv edhe për afaristët kosovarë, që të nxjerrin prodhim më të madh për t’i zëvendësuar produktet që mungojnë. Edhe nëse hiqet taksa, nuk do të vërehet mungesë. Deri në 95 për qind janë mbuluar mungesat”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka thënë se në biznesin e tij, Elkos, veç 5 për qind e produkteve janë importuar nga Serbia.

“Mallrat e Serbisë dhe Bosnjës janë më të lira për konsumatorët. 5 për qind e produkteve në Elkos janë nga Serbia. Vendet e Evropës prijnë për nga produktet e ushqimit. Ne nuk do të importojmë produkte serbe, derisa taksa është në fuqi. Kanë mbetur edhe pak produkte serbe, por shumicën i kemi zëvendësuar. Qytetarët më nuk po i blejnë produktet serbe. Kontrabanda ka ekzistuar gjithmonë, por në jug s’ka pas kontrabandë. Konsumimi me bazë patriotike është i shkurtër, ndërsa konsumimi i produkteve në bazë të kualitetit është më afatgjatë”, ka thënë Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat