Franca do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Ekonomi

Franca do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 16:20
Pamje nga takimi

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot ambasadorin e Francës në Kosovë Didier Chabert, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ndërinstitucional, me theks të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta për qytetarët e Kosovës.

Me këtë rast ministri Hamza, falënderoi diplomatin francez për mbështetjen e madhe që shteti i Francës dhe ai personalisht i ka ofruar Kosovës përgjatë viteve të fundit që ka shërbyer në Kosovë.

Sipas tij, me angazhimin e përbashkët është arritur që të shtyhet përpara implementimi i iniciativave tona dhe të fillohen procese të reja, të cilat i shërbejnë rritjes së partneritetit mes Kosovës dhe Francës, si  dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.  

Ai me këtë rast theksoi se Kosova është në proces të zhvillimit të negociatave për arritjen e Marrëveshjes lidhur me Vendosjen dhe Aktivitetin e Agjencisë Franceze për Zhvillim, të PROPARCO-s dhe të Ekspertizës Franceze, në Kosovë.

Në këtë takim gjithashtu u diskutua edhe për progresin e arritur në projektin për ndërtimin e Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, ku u bë e ditur se, me dakordimin e palëve të  përfshira, implementimi i projektit ka kaluar te Kompania rajonale e Ujësjellësit, e cila edhe do të jetë shfrytëzuese e aseteve pas ndërtimit të tyre. 

Me këtë rast, ministri Hamza bëri të ditur gjithashtu se është duke u punuar për të siguruar studimin e fizibilitetit dhe investimet e nevojshme për rrjetin e kanalizimit në Prishtinë, që do të mundësonte shfrytëzim sa më efikas të impiantit të ri.

Ndërsa, ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert rikonfirmoi përkushtimin e shtetit të Francës për mbështetjen e Kosovës në zhvillimin e projekteve, të cilat ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat