Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan çmimet për gazetarinë ekonomike

Ekonomi

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan çmimet për gazetarinë ekonomike

Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 16:00
Foto ilustrim

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka ndarë sot në Prishtinë çmimet "Vangjush Gambeta 2019”, për raportimin më të mirë ekonomik të publikuar gjatë këtij viti nga gazetarë tw sektorit tw ekonimisw nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Për raportimin më të mirë të vitit 2019 në lëmin e ekonomisë është nderuar gazetari Vali Qyrfyçi, ndërsa çmimin “Gazetari i Vitit” iu nda gazetarit Taulant Koplikaj.

Çmimi “ Vangjush Gambeta” për gazetarinë audio vizuele në Shqipëri iu nda Donald Jorgoni, ndërsa për mediat e shkruara në Kosovë, gazetares së Koha Ditore Saranda Ramaj, për Shqipëri Ledina Loga dhe për Maqedoninë e Veriut Vedat Memedaliu.

Kurse, me çmimin “ Karriera” ka nderuar redaktoren shumëvjeçare të Radio DW, Adelheid Feilce  dhe gazetaren e Zërit të Amerikës Laura Konda.

Me rastin e ndarjes së çmimeve vjetore, Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, Aleksander Çipa, tha se përmes kësaj ngjarje bashkojnë përfaqësuesit e institucioneve dhe gazetarëve të ekonomisë, të cilët ballafaqojnë pikëpamjet e tyre dhe sfidat që përjetojnë pavarësisht njësisë administrative ku jetojnë.

Çipa: Kemi mundur të shohim tregun dhe skenën mediatike shqiptare në tri shtetet ku jetojnë shqiptarët

“Do të doja të ndaja me ju arsyetim që prej 11 vjetësh ne kemi mundur si organizatë të ngremë një hierarki të vlerësimit brenda komunitetit profesional të gazetarëve dhe nuk kemi respektuar vetëm adresimin tek njësia republikë që i përkasim Shqipërisë. Por kemi mundur të shohim tregun dhe skenën mediatike shqiptare në tri shtetet ku jetojnë shqiptarët, si një mundësi të integrimit tonë të brendshëm, si një mundësi për të parë referenca profesionale të ndryshme dhe për të përcaktuar stacionet e ballafaqimit konkurrues me njëri tjetrin pavarësisht nga ndasitë  dhe pavarësisht nga ajo që do ta quaja kohë humbja e politikës”, tha ai.

Ndarjes së çmimeve i ka parapri konferenca tematike “Ilegaliteti dhe legaliteti” ku pjesëmarrësit kanë theksuar se ekonomia gri është armiku kryesor i zhvillimit ekonomik dhe kanë nënvizuar nevojën e realizimit të ligjeve dhe strategjive qeveritare në luftim të ekonomisë ilegale.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se organizimi i ngjarjeve të tilla i kontribuon nevojës për trajtimin e ekonomisë jo formale dhe të vlerësohet puna e palodhshme e gazetarëve, që sipas tij duke e trajtuar problemin influencojnë që shumë çështje të marrin trajtimin e duhur nga ana e institucioneve.

Rukiqi: Ekonomia joformale është një ndër tri top barrierat që bizneset i konsiderojnë problematike

“Si OEK edhe në baza periodike i përcjellim problemet kyçe dhe në tri vitet e fundit ekonomia joformale është një ndër tri top barrierat që bizneset i konsiderojnë problematike për rritjen e tyre dhe kjo vjen nga vet bizneset. Do të thotë, nuk është kjo ndonjë analizë e jashtme që bëhet ose ndonjë vlerësim me ndonjë farë lloj modeli të caktuar ekonomik, por është diçka që vjen nga vet komunikimi i drejtpërdrejtë me bizneset. Normalisht kjo pastaj e determinon edhe atë se cka duhet të jetë prioritet për mekanizmat institucional...Normalisht që zhvillimi ekonomik është parakusht për këtë progres dhe mirëqenie në vend dhe tash brenda zhvillimit ekonomik ne po e shohim që pjesa e ekonomisë joformale është ndër çështjet që duhet të trajtohet me prioritet”, tha ai.

Kurse, Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, tha se gazetarët me raportimet e tyre duhet të jenë objektivë dhe të orientuar drejtë ekonomisë dhe realitetit, derisa tha se është për keqardhje që disa persona devijojnë emisionet e tyre për shkak të klikimeve.

Jaka: Ne mund të përmirësojmë jetesën e qytetarëve tanë

“Duhet të kemi një platformë të qartë dhe ajo që ju trajtoni gazetarë për ekonominë që është për mendimin tim kryefjala e një zhvillimi dhe integrimi të një vendi, sepse nuk ka rrugë tjetër dhe vetëm nëpërmjet ekonomisë, edukimit, kualifikimit dhe modeleve të suksesit ne mund të integrohemi. Ne mund të përmirësojmë jetesën e qytetarëve tanë dhe vetëm në këtë formë mund të ecim përpara dhe çdo formë tjetër e zgjedhur nuk bënë gjë tjetër veçse krijon pengesa dhe barriera artificiale subjektive që ndikojnë në mungesën e integrimit dhe ekonomizimit të zonës shqiptare”, tha ai.

Në këtë tryezë ka marrë pjesë edhe deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje Liburn Aliu, i cili tha se në një vend kur është informaliteti në rritje dhe për kohë të gjatë atëherë është i lidhur me politikën.

Aliu: Kur kemi informalitet në rritje kjo i bie që ky informalitet është i lidhur me politikën

“Kur kemi informalitet në rritje dhe për kohë të gjatë, pa ndonjë rënie, kjo i bie që ky informalitet është i lidhur drejtpërdrejtë me politikën. Armët kryesore të luftimit të informalitetit janë dy, është vullneti politik, kur ki vullnet politik që të zbatohet ligji dhe e dyta, kur je plotësisht transparent. Për ta luftuar informalitetin duhet të ketë transparencë të plotë, pra kur shoqëria civile, gazetarët, publiku kanë qasje në cdo dokument”, tha ai.

Çmimin “Gazetari i Vitit” iu nda gazetarit Taulant Koplikaj, i cili kishte raportuar për fëmijët shqiptarë që ndodhen në kampet në Siri.

Koplikaj: Me këmbëngulje arritëm të bindim autoritetet se ai fëmijë duhej marrë nga ai kamp

“Ky çmim ndoshta do të ishte dashur të ndahet treshe nëse të dy kolegët e mi të ishin shqiptarë, pasi mendoj që kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për sjelljen e Alvinit në shtëpi. Nuk është vetëm një reportazh për jetën e fëmijëve shqiptarë atje, por me këmbëngulje arritëm të bindim autoritetet se ai fëmijë duhej marrë nga ai kamp. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin të bëjë një thirrje që duhet të rikthehet vëmendja tek më shumë se 30 fëmijët që ndodhen në atë kamp për të bërë të mundur kthimin e tyre sa më shpejtë në shtëpitë e tyre”, tha ai.

Ndarja e çmimeve “Vangjush Gambeta 2019” është bërë nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, me mbështetje të JTI.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat