Azemi: Disa kompani private përfituan padrejtësisht nga Pako Emergjente Fiskale - Bota Sot
Azemi: Disa kompani private përfituan padrejtësisht nga Pako Emergjente Fiskale

Ekonomi

Azemi: Disa kompani private përfituan padrejtësisht nga Pako Emergjente Fiskale

Më: 6 maj 2020 Në ora: 14:11
Jusuf Azemi

Disa kompani private kanë përfituar padrejtësisht nga Pakoja Emergjente Fiskale për masën mbështetëse të pagës 170 euro të punëtorëve.

Kështu ka thënë sot kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili shtoi se ka pasur keqpërdorime për shpërndarjen e mjeteve financiare.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se për disa kompani që kanë pasur qarkullim financiar nga shteti në kohën e pandemisë, Qeveria ka ndarë edhe mjete punëtorëve nga 170 euro padrejtësisht nga Pakoja Emergjente Fiskale, përkatësisht për pagën 170 euro të punëtorëve.

Azemi: Qeveria ka kryer obligimet ndaj kompanive dhe punëtorëve nga 170 euro

“Qeveria e Kosovës për kompanitë që kryejnë shërbime ndaj institucioneve, i ka kryer obligimet normal konform kontratës dhe të gjitha mjetet për shërbimet që i kryen kompania i ka paguar qeveria. Në momentin kur qeveria ka paguar mjetet tek kompania private, këto kompani private nuk i kanë paguar punëtorët konform kontratës. Qeveria e Kosovës me listat që i kanë dërguar kompanitë pa të drejtë, punëtorëve pa të drejtë nga neglizhenca ose qëllimisht, ka ndodhur që edhe punëtorëve që nuk u ka takuar të paguhen direkt nga Pakoja Emergjente, Qeveria e Kosovës pa e hulumtuar fare dokumentacionin ka derdhë mjete te punëtorët. Në momentin që këta punëtorë kanë 170 euro, edhe pse kompania ka pasur për obligim që një punëtori t’i paguaj 250 euro, në këtë mënyrë i ka kanë mbajtur kompanitë në fondin e tyre nga 170 euro, që është një skandal”, thotë Azemi.

Ai theksoi se me miliona euro do të shkojnë tek pronarët nga kjo pako emergjente, ani pse sot Ministria e Financave dhe Transfereve ka marrë për obligim ta shqyrtojë këtë çështje, pas një takimi që është zhvilluar sot me zëvendësministrin e Financave dhe Transfereve dhe drejtues të kësaj sindikate.

Për këtë veprim, dikush duhet të shkojë në burg sipas Azemit, edhe pse ky i fundit nuk publikoi emra të atyre kompanive që mund të kenë keqpërdore këto mjete.

Azemi: Dikush duhet të shkojë në burg për keqpërdorime të mjeteve nga Pakoja Emergjente

“Po e them, në kushte normale, dikush u dashtë të shkojë në burg për këtë veprim që po bëhet, e për këtë ta vërtetojnë organet e drejtësisë. Gjithherë po flasim me dokument zyrtare. Është punë e rëndë kur një punëtori që ka kryer shërbim 24 orë në këto kushte shumë të rënda dhe keqpërdoren e mjetet e tyre... Ne sot nuk do të flasim me emra të kompanisë sepse sigurisht në një konferencë të afërt dhe të shohim lëvizjet e qeverisë, që neve sot na premtuan që këto mjetet o do të mbesin në konton e punëtorëve ose do të kthehen mbrapa. Me qëllim që nuk dëshirojmë të publikojmë sot për sot, sepse ne i kemi kompanitë këtu. Pjesa dërmuese e kompanive që kanë tenderë me institucionet shtetërore, ato kanë marrë mjete nga fondet e ministrive përkatëse dhe kanë marrë mjete punëtorët nga Pakoja Emergjente”, theksoi ai.

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës tha në fund se nëse vazhdon kjo dhënie e mjeteve pa kritere, ndoshta edhe nuk do të ketë mjete të mjaftueshme për muajin e dytë për pagën 170 euro për punëtorët që e meritojnë këtë pagë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat