Kundër reagim i OAK-ut ndaj Agjencisë së Pyjeve të Kosovës - Bota Sot
Kundër reagim i OAK-ut ndaj Agjencisë së Pyjeve të Kosovës

Ekonomi

Kundër reagim i OAK-ut ndaj Agjencisë së Pyjeve të Kosovës

Më: 7 maj 2020 Në ora: 14:46
OAK

Oda e Afarizmit të Kosovës përmes një kundër reagimi për media e cilëson të papranueshme qasjen e kryeshefit të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës Ahmet Zejnullahu, pas deklarimeve që ky i fundit bëri se nuk do t’i jep prioritet kërkesës së operatorëve ekonomikë për lirim nga qiraja për tokat pyjore të APK-së.

Agjencia e Pyjeve të Kosovës (APK) ka mohuar që kryeshefi i saj ekzekutiv të ketë dhënë një deklaratë të tillë, duke thënë se është në pritje të vendimit të qeverisë lidhur me kërkesën e OAK për përfshirjen në pakon emergjente për lirimin nga pagesa e qirasë të operatorëve ekonomikë që shfrytëzojnë tokat pyjore.

OAK, ndërkaq, thotë se është informuar nga mediat për reagimin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës (APK) ndaj kërkesës që OAK i ka adresuar kryeministrit në detyrë Albin Kurti për shqyrtim të pozitës së kryeshefit të APK-së Ahmet Zejnullahu.

OAK e cilëson të papranueshme qasjen e kryeshefit të APK-së Ahmet Zejnullahu ndaj zyrtares së OAK-ut dhe bizneseve, duke thënë se raste të ngjashme të sjelljeve arrogante dhe nënvlerësuese janë hasur edhe më parë në takimet me ish-ministrat, kryeshefin Zejnullahu, drejtorët, e bizneset, andaj edhe deklarimi se “kryeshefi i APK-së, Ahmet Zejnullahu në asnjë rast nuk e ka dhënë një përgjigje të tillë për OAK”, nuk qëndron, thuhet në kundër reagim.

Për korrektësi përgjigja që APK është në pritje të vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kërkesën e Odës për përfshirjen në Pakon Emergjente, për lirimin nga pagesa e qirasë të operatorëve ekonomik, të cilët shfrytëzojnë tokat pyjore, është shoqëruar me deklaratën se nuk janë duke e trajtuar me prioritet pasi që bizneset kanë para dhe mund të paguajnë.

OAK përkujton se më 31.03.2020 ka adresuar kërkesën për pezullim të pagesës së qirasë tek APK për shkak të gjendjes me pandemi dhe si iniciues kërkon të mbahet e informuar për hapat e mëtejmë.

Për më tepër, OAK sqaron se si rezultat i mospranimit të ndonjë përgjigje lidhur me kërkesën e adresuar, kanë kontaktuar APK-në për t'u informuar lidhur me këtë çështje.

OAK falënderon ministrin për reagimin e tij dhe iniciativën për rregullimin e kësaj çështjeje, ndonëse në këtë rast është marrë parasysh vetëm një pikë nga katër sa kanë qenë gjithsej:

U.A nr. 10/2010, neni 4 paragrafi 13.7 dhe 13.8 të cilat kufizojnë kontratat e shfrytëzimit të tokave në 5 vite dhe 5 ha.

U.A MA - nr. 12/2005, paragrafi 1.2 i Nenit 8 obligon bizneset të paguajnë për shfrytëzim të pyjeve dhe tokës pyjore për destinime tjera ku vlera e shtimit vjetor te masës drunore për 25 vjet për pyjet cungishte dhe 60 vjet për pyjet trungishte pa e shfrytëzuar atë pjesë.

U.A MA - nr. 16/2007, neni 1 paragrafi 7, që obligon bizneset të paguajnë taksë 0.20 € në vit për metër katrorë për ndërtim të përkohshëm.

Vendimi për ndalim të përkohshëm të ndërrimit të pasurisë së paluajtshme të MBPZHR i datës 20.07.2010.

Më 05.05.2020, MBPZHR ka publikuar Projekt Udhëzimin Administrativ (MBPZHR) – nr. XX/2020 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ nr. 10/2010 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ nr.41/2006 për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore, që do të thotë është iniciuar ndryshimi vetëm për pikën e parë, por jo edhe për të tjerat.

Brenda afateve të caktuara, Oda e Afarizmit të Kosovës njofton se do të përcjellë te MBPZHR komentet shtesë për Projekt Udhëzimin Administrativ.

Ndryshe, Oda e Afarizmit përfaqëson zërin direkt të bizneseve anëtare të saj, e ku pjesa dërmuese e tyre kanë paraqitur ankesa të shumta nga padrejtësitë ligjore të cilat bëhen nga ana e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat