OEK: Pagat për sektorin privat të subvencionohen deri në gusht - Bota Sot
OEK: Pagat për sektorin privat të subvencionohen deri në gusht

Ekonomi

OEK: Pagat për sektorin privat të subvencionohen deri në gusht

Më: 20 maj 2020 Në ora: 16:40
Ilustrim

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, theksoi se 67 ditë kanë kaluar që nga fillimi i masave kufizuese për parandalimin e COVID-19, ndërsa ka bërë të ditur se prej 1 qershorit pritet të fillojnë punën mbi 95 për qind e bizneseve aktive në vend.

Gjatë kohës së masave kufizuese deri më 4 maj , mbi 40 për qind e bizneseve aktive kanë qenë të mbyllura. Rukiqi theksoi se këto 67 ditë kanë qenë në kohën e pandemisë, kanë qenë ditët më të vështira për bizneset që nga pas lufta.

Sipas tij, në të gjitha hulumtimet është konstatuar që mbi 60 për qind e bizneseve ndihen të rrezikuara, nëse nuk merren masa adekuate të përkrahjes.

Pakoja emergjente për bizneset, sipas Rukiqit, fatkeqësisht është duke u implementuar ngadalë, dhe asnjë masë deri tash nuk është zbatuar në tërësi, as për qiratë.

Rukiqi: Asnjë nga masat që e prekin sektorin privat s’ka ndodhë

“Në të gjitha hulumtimet, sidomos në hulumtimin e që ne e kemi realizuar me pesë organizata biznesore, kemi parë që 60 për qind e këtyre bizneseve, sidomos të këtyre që nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet ekonomik, e konsiderojnë se janë të rrezikuar nga situata e krijuar pas pandemisë, përkatësisht pas vendosjes së masave kufizuese. Nëse e shohim se çka duhet të bëhet tash e tutje, ne jemi në një situatë ku e kemi një pako emergjente, e cila ka qenë e domosdoshme, por ajo çfarë po shohim si problematike për këtë pako, është se zbatimi i saj është i ngadaltë. Asnjë nga masat që e prekin sektorin privat s’ka ndodhë, as subvencionimi i pagës, as qiratë, as likuiditeti për kompanitë në formë të kredive pa interes dhe as pjesa tjetër që lidhet me eksportin nuk janë të zbatuara tërësisht”, tha Rukiqi.

Po ashtu Rukiqi kërkoi të bëhet shpejt edhe pakoja për rimëkëmbje ekonomike, pasi dëmet janë të mëdha. Ndërsa, ai tha se duhet përkrahje për disa nga sektorët më të prekur nga pandemia.

Ndërsa për rrugën drejt rimëkëmbjes ekonomike, Rukiqi tha se është shumë me rëndësi që të implementohet tërësisht masa që ka të bëjë me subvencionimin e pagave për muajin prill dhe maj, dhe e njëjta të vazhdojë së paku deri më 31 gusht, e po ashtu edhe masa për qiratë të vazhdojë deri në këtë datë.

Rukiqi: Duhet edhe një vendim i ri për shtyrje të pagesës së kësteve të kredive

“Të ketë masë të re për likuiditet për ndërmarrjet vogla dhe të mesme, e cila duhet implementuar 50 për qind në formë të garantimit të kredive përmes fondit për garanci kreditore. Vlera e kësaj mase duhet të jetë së paku 50 milionë euro. Po ashtu, kërkohet implementim të shpejtë të masës për përkrahje të eksportit që është në pakon emergjente dhe vendim të ri për shtyrje të pagesës të kësteve të kredive për sektorët e rrezikuar për së paku edhe për tre muaj të tjerë. Jashtë pjesë financiare të pakos (për rimëkëmbje ekonomike) është e domosdoshme që të ketë një pjesë me masat fiskale, tatimore dhe me masa jo financiare. Pushime tatimore deri 3 vjet për investimet e reja, 0 për qind TVSh për imputet e prodhimit që blihen nga prodhuesit vendor. Normë e diferencuar e TVSh-së për sektorin e turizmit, sektorin e HoReCasm, sektorin e patundshmërisë dhe sektorin e transportit”, tha Rukiqi.

Sa i përket pakos për rimëkëmbje, kryetari Rukiqi tha se propozimet për pakon në fjalë janë tri elemente të rëndësishme, që është likuiditeti, integrimi dhe digjitalizimi. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat