Ndërmarrja e Prishtinës me kritere si për viza, punëtorëve teknik u kërkohet vërtetim nga ATK-ja - Bota Sot
Ndërmarrja e Prishtinës me kritere si për viza, punëtorëve teknik u kërkohet vërtetim nga ATK-ja

Ekonomi

Ndërmarrja e Prishtinës me kritere si për viza, punëtorëve teknik u kërkohet vërtetim nga ATK-ja

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 17:27
Ilustrim

Komuna e Prishtinës po pretendon se nga data 10 korrik të fillojë me rregullin e ri të menaxhimit të parkingjeve nëpërmjet Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”.

Ndërmarrja e re e Prishtinës e cila do të menaxhojë me hapësirë e parkingjeve në kryeqytet akoma nuk e ka asnjë punëtorë të punësuar me konkurs të hapur publik, shkruan lajmi.net.

Me datë 19 qershor, kjo Ndërmarrje nëpërmjet Komunës së Prishtinës ka hapur konkurs për 36 punëtor në 16 pozita. Konkursi është publikuar në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës.

Tek procedurat e konkurrimit, kandidatëve u është kërkuar që të dorëzojnë edhe një dëshmi që deri më tani nuk është hasur në konkurse. Është kërkuar që kandidati të dorëzojë edhe Vërtetimin e Administratës Tatimore të Kosovës, ani pse deklarimet ne ATK e ka për detyrë punëdhënësi, kjo nuk e ka penguar Ndërmarrjen të kërkojë diçka të tillë.

Komuna e Prishtinës nuk ka dashur të flasë për këtë kriter të vendosur në nga ndërmarrja e saj.

Lajmi.net ka kërkuar një mendim nga Avokati i Popullit dhe Ministritë përgjegjëse, por as këto institucione nuk kanë dashur të komentojnë këtë konkurs.

Komuna e Prishtinës monitorohet nga Organizata INPO. Në këtë organizatë kanë vlerësuar se ky kriter i vendosur është diskriminues. Kjo organizatë, pas interesimit të lajmi.net ka pyetur edhe Bordin e Drejtorëve të kësaj Ndërmarrje se pse është vendosur ky kriter.

“Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” në kuadër të dokumenteve që kandidatë duhet ti plotësojnë në konkursin e fundit  ka vendosur edhe vërtetimin tatimor. Gjithashtu, janë vendosur edhe dokumente të tjera të cilat do të mund të kërkoheshin pasi që kandidatët të vendoseshin në listë të ngushtë. Sa i përket vërtetimit tatimor, ne kemi kërkuar sqarime edhe nga ndërmarrje në fjalë dhe arsyeja që ata e mbështesin këtë kërkesë është se dëshirojnë të vërtetojnë se punëkërkuesit a kanë qenë lojal ndaj shtetit, pra a i kanë paguar të gjitha taksat që i parasheh ATK ja lidhur me pagën në të kaluarën. Vlerësojmë që ky dokument në rrethanat tona është diskriminues pasi që i njëjti favorizon kandidatët të cilët përvojën paraprake të punës e kanë në institucione publike. Kjo sepse institucionet publike janë jokrahasimisht më të disiplinuara në pagesën e kontributeve për punëtor në krahasim me sektorin publik”, tha për lajmi.net Qëndrim Arifi, menaxher i programeve në INPO.

Ai thotë se, arsyeja tjetër që këtë kërkesë e bënë diskriminuese është fakti se për ndërmarrjen “Prishtina Parking” është jorelevante se kandidati a ka qenë korrekt ndaj ATK-së, ngase në rast të punësimit të kandidatit ato pagesa janë në kompetencë dhe përgjegjësi të kompanisë e asnjëherë të punëtorit.

“Ne nuk kemi hasur në një kriter të tillë, mirëpo kjo përgjigje është relative sepse nuk i monitorojmë të gjitha konkurset, mirëpo mund të themi që kohët e fundit nuk kemi hasur në një kriter të tillë dhe se i njëjti është jo relevant dhe i panevojshëm”, shtoi tutje Arifi.

Agim Gashi i cili ka qenë për disa vite drejtor në Prishtinë në kohën kur qeveriste LDK-ja, tha për lajmi.net se vendosja e atij kriteri në konkurs është e kundërligjshme.

“Unë nuk e kam parë atë konkurs, por nëse vërtetë është ashtu, një praktik e tille nuk është aplikuar asnjëherë në Kosovë dhe është në kundërshtim me ligjin”, tha Agim Gashi i cili është shef i grupit parlamentar të LDK-së në KK të Prishtinës.

Konkursi i fundit që ka hapur kjo Ndërmarrje është edhe për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm dhe një zyrtar/e për auditim. Për asnjërën nga këto dy pozita nuk është kërkuar Vërtetimi i ATK-së.

Ndërkohë, një dëshmi tjetër që është kërkuar në konkursin për 16 pozitat, është cekur se kandidati duhet të jetë i pajisur me patentë shofer të kategorisë B.

Këto janë pozitat e konkursit që është i hapur deri më 3 korrik: Një shef/e e kabinetit, një zyrat/e për zhvillim të biznesit, një shofer/e, një zyrtar/e për financa, një menaxher/e për resurse njerëzore, një zyrtar/e kabinetit, një arkëtar/e, një dispeçer/e, një asistent/e e kabinetit të KE-së, një zyrtar/e për resurse njerëzore, një zyrtar/e ligjor, një zyrtar/e për trajnime dhe avancime, një zyrtar/e për logjistik, një recepsionist/e, dhjetë inkasant/e, dhjetë punëtor/e teknik. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat