OAK kërkon lirimin e plotë të lëndës së parë dhe përkrahje për bizneset - Bota Sot
OAK kërkon lirimin e plotë të lëndës së parë dhe përkrahje për bizneset

Ekonomi

OAK kërkon lirimin e plotë të lëndës së parë dhe përkrahje për bizneset

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 14:06
Pamje nga takimi

Lirimi i plotë i lëndës së parë, krijimi i arkës patriot, subvencionimi i eksportit, përshkallëzimi i TVSH-së në turizëm dhe hoteleri, ulja e normave të interesit nga BQK, përkrahja e bizneseve nëpërmjet pakos së rimëkëmbjes ishin disa nga çështjet që u ngritën në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me Ministren e Financave, Hykmete Bajrami.

Gjatë këtij takimi OAK theksoi emergjencën e finalizimit sa më parë të pakos së rimëkëmbjes në mënyrë që bizneset të kenë mundësi që të mbijetojnë, dhe operojnë më tutje në këtë kohë pandemie, qasja më e lehtë në financa, rëndësia e subvencionimit të kamatave, riprogramimi i kredive pa kosto shtesë, shtyrja e tatimeve e subvencionimi i pagave të të punësuarve u cilësuan disa nga kërkesat më emergjente të bizneseve aktualisht.

OAK shpalosi propozimet e bizneseve për pakon e rimëkëmbjes dhe theksoi vështirësitë më të cilat janë duke u përballur bizneset si rezultat i vonesave të mëdha që janë duke u bërë në ekzekutimin e pakos emergjente, ku biznesi në këtë periudhë nuk ka gjetur mbështetje tek shteti. Rënia e qarkullimit dhe operimi larg planifikimeve, ka vendosur bizneset në një gjendje të vështirë financiare si rezultat i së cilës rrezikojnë të humbin shumë vende të punës.

Ndërsa nënkryetari i OAK-ut, Arsim Selmonmusaj si problematikë ngriti pikën 15 të vendimit të Qeverisë për ndërprerjen e aktivitetit në sektorin e identifikuar të institucioneve përkatëse të listuar sipas gjurmimit aktiv epidemiologjik, duke kërkuar ndryshimin e kësaj pike, meqë ky vendim është vështirë i realizueshëm dhe do të dëmtojë bizneset në nivel shumë të lartë. Selmonmusaj gjithashtu ngriti si çështje koston prej 5 % të kthimit të parave të metalta në kartmonedha, e cila po ashtu po rëndon bizneset.

Ministrja Hykmete Bajrami theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me përfaqësuesit e biznesit për fuqizimin e sektorit privat. Bajrami i njoftoi përfaqësuesit e OAK-ut për angazhimin e Ministrisë për të trajtuar nevojat dhe kërkesat e bizneseve dhe u shpreh e hapur për çështjet që ka në kompetencë digasteri që ajo drejton dhe ka kapacitete, do të angazhohen për të implementuar në programin e rimëkëmbjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat