Paralajmërohet rënie e të hyrave buxhetore për vitin 2020

Ekonomi

Paralajmërohet rënie e të hyrave buxhetore për vitin 2020

Më: 2 gusht 2020 Në ora: 08:29
Foto ilustrim

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka thënë se është shumë herët të flitet për ndikimin që ka pasur pandemia në vendet e punës.

Sipas tij,  duhet të presim për të dhëna zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës apo edhe të dhënave zyrtare të cilat do të prezantohen nga Administrata Tatimore e Kosovës në muajt në vazhdim.

“Është herët që ndonjëra prej ndërmarrjeve të ketë deklaruar më pak punonjës sesa që ka pasur para pandemisë. Interesant do të jenë të dhënat edhe përsa i përket qarkullimit të bizneseve përgjatë tre muajve të kaluar dhe besoj se do të jenë gati pas datës 20 korrik kur deklarohet tatimi mbi vlerën e shtuar”, tha Zeka.

Ai, theksoi se si rezultat i situatës së krijuar nga pandemia, do të ketë rënie të të hyrave buxhetore për vitin 2020.

“Tash efektet e pandemisë janë gjithpërfshirëse dhe kanë goditur sektorin privat për shkak të masave të kufizuara me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë, por në anën tjetër derisa shënojmë një rënie në bruto produktin vendor domosdoshmërisht do të ketë rënie të të hyrave buxhetore për vitin 2020”, shtoi ai për EO.

Mes tjerash, Zeka tha se Kosova është në një situatë të vështirë sa i përket zbatimit të pakos emergjente sepse ende nuk është aprovuar.

Sipas tij, shteti ka dështuar që t’i japë mbështetjen e duhur ndërmarrjeve.

Ai shpreson që rishikimi i buxhetit të përfundojë brenda kësaj jave dhe ka kritikuar deputetët, që sipas tij po merren me tema dytësore.

“Aprovimi i buxhetit për vitin 2020 shpresojmë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Shteti ka dështuar që t’i japë përkrahjen apo mbështetje ndërmarrjeve. Disa prej bizneseve kanë protestuar në të drejtën e tyre. Shpresoj që rishikimi i buxhetit të përfundojë brenda kësaj jave. Pastaj javën tjetër të bëhet edhe aprovimin në të dyja leximet edhe të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike”, shtoi Zeka.

Zeka parasheh edhe tërheqjen e kursimeve pensionale të 10 përqindëshit të mjeteve të kursimit, për të cilën thotë se është alternativë e pranueshme dhe është një çështje e ndjeshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat