​1/3 e të punësuarve po largohen nga Kosova, më e preferuara Gjermania

Ekonomi

​1/3 e të punësuarve po largohen nga Kosova, më e preferuara Gjermania

Më: 27 prill 2021 Në ora: 13:06
Foto

Pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 ka ndikuar në ekonominë e vendit, duke prekur shumë edhe sektorin privat. Krahas kësaj, pandemia ka ndikuar edhe në fluksin e emigracionit, ku një numër i madh i të punësuarve po largohen nga vendi.

Është Gjermania, vendi që po jep viza më së shumti për qytetarët e Kosovës në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kështu u tha në tryezën “Ikja e fuqisë punëtore nga Kosova: Sa do të ndikojë pandemia dhe rregullat e reja të migrimit të Gjermanisë në këtë fenomen?”, ku u theksua edhe nevoja për rritjen e kapaciteteve të Ambasadën Gjermane në Kosovë për vizat.

Lidhur me këtë ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, tha se deri në verë do të rrisin kapacitetet, duke angazhuar 6 punonjës të ri në seksionin e vizave.

Ai tha se gjatë vitit 2019 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka dhënë diku 5 mijë e 700 viza për të gjitha llojet e punësimit, nga puna e pakualifikuar e deri tek ajo me kualifikim të lartë. Teksa shtoi se kuota e re lejon që Ambasada të japë deri në 5 e 500 viza në vit, pavarësisht nga kualifikimet e aplikantit.

Rohde: Ambasada Gjermane lëshon viza më së shumti për Kosovën

“Ligji i ri parasheh rregulloren e re për periudhën vijuese dhe parasheh kufij të cilët kanë ekzistuar edhe më parë. Kuotat janë paraqitur në atë mënyrë që e reflektojnë edhe numrin e vizave të cilat jepen sipas rregullores për Ballkanin Perëndimor në çdo vend përkatës gjatë viteve të fundit, dhe Kosova ka numrin më të madh nga vendet e BP... 10:53 Jam befasuar, vitin që shkoi, Ambasada gjermane në Prishtinë ka arritur që të japë më shumë viza për qëndrim të gjatë në tremujorin e parë të vitit 2021, se çdo mision tjetër në botë... Në verë do të kemi 6 punëtorë të ri në seksionin e vizave nga Gjermania dhe një nga Kosova. Lidhur me atë sesa viza do të autorizohen, e kemi një kuotë deri në 5 mijë, por duke marrë parasysh kapacitet e rritura nuk shoh se nuk mund të arrijmë numër edhe më të madh”, tha ai.

Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti tha se ikja e të rinjve nga vendi shkakton një çrregullim në profesione të caktuara.

Ai tha se janë duke punuar që të trajtojnë të gjitha këto çështje, sidomos me grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Kapiti: Qe 20 vjet ka pasur keqinvestim në forcat e reja të punës tek të rinjtë

“Ikja masive e të rinjve është një problem me të cilin po ballafaqohen shumë shtete, jo vetëm shteti jonë. Mirëpo, ajo që e bënë shtetin tonë më të ndjeshëm është se për 20 vite ka qenë një keqmenaxhim dhe keqinvestim në forcat e reja të punës tek të rinjtë. Dhe, është mëse normale që ata që i humbasin shpresat edhe të largohen. Qeveria është duke përgatitur plane të reja, sidomos me rimëkëmbjen ekonomike ku këto çështje dhe do të trajtohen”, u shpreh ai.

Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare tha se ikja e të rinjve nga vendi mund të shihet në dy aspekte, ata që dalin për t'i plotësuar ambiciet e vetja jashtë Kosovës por, edhe ata të cilët dalin për të përmbushur veten, e që pastaj kthehen në vend.

Hasani: 1/3 e të punësuarve po largohen nga Kosova

“Çka po ndodh aktualisht në sektorin privat në Kosovë, është shumë e vështirë përshtatja me situatën pandemike, por edhe para pandemisë, sektori privat e ka shumë vështirë të zhvillohet dhe të rritet, sepse njëra prej sfidave kryesore është mungesa e stafit të kualifikuar... Edhe prej studimeve del se është sfidë që bizneset të rriten. Sfida tjetër është që bizneseve po iu ikë stafi, 1/3 e bizneseve që janë anketuar sipas një studimi të Institutit Riinvest, po largohen nga Kosova dhe kjo është shumë shqetësuese”, u shpreh ajo teksa shtoi se ajo që do t’i mbajë të rinjtë në vend është një vizion i qartë.

Gentian Gashi, hulumtues në GAP, tha se pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e Gjermanisë dhe pasiguri për vende të punës.

Ai theksoi se edhe Kosova pësoi shumë ekonomikisht duke bërë që numri i të punësuarve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, të bie në 27.2 përqind.

Përveç dëmeve në ekonomi, Gashi tha se pandemia ka ndikuar edhe në migrimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani.

Gashi: Pandemia ndikoi edhe në migrimin nga Kosova në Gjermani

"Në Gjermani Bruto Produkti vendor kishte rënë në 11.3 përqind mes tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2020, shkalla e papunësisë në gusht të vitit 2020 kulmoi në 6.4 përqind, dhe numri i të punësuarve kishte rënë për 1.3 përqind. Në të njëjtën kohë edhe në Kosovë BPV kishte rënë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, që në krahasim me vitin 2019 ishte rreth 9.3 përqind. Shkalla e papunësisë në Kosovë në 27.2 përqind në tremujorin e dytë dhe numri i të punësuarve mes tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2020 kishte rënë për 50 mijë punëtorë. Pandemia shkaktoi dëme të mëdha në ekonomitë e të dyja vendeve që natyrisht se do të ndikonte edhe në migrimin nga Kosova në Gjermani”, tha ai.

Drejtoresha ekzekutive e instutit GAP, Nora Latifi Jashari foli rreth efekteve ekonomike që pati pandemia në vend, duke thënë se virusi COV-19, kufizimi i lëvizjes dhe mbyllja e veprimtarive afariste gjatë vitit 2020 pati ndikim të menjëhershëm në papunësinë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat