Ndikimi i inflacionit në “shportën” jetësore të konsumatorit

Ekonomi

Ndikimi i inflacionit në “shportën” jetësore të konsumatorit

Prof. Dr Musa Limani Nga Prof. Dr Musa Limani Më 21 tetor 2021 Në ora: 19:17
Foto ilustrim

Zhvillimi ekonomik i Kosovës në periudhën e pas çlirimit, veçmas pas Pavarësisë (2008), u përballë dhe po ballafaqohet me sfida të shumta. Për herë dominonin dhe po dominojnë temat politike, duke e lënë anash zhvillimi ekonomik, që plotësisht ishte dhe është gabim. Pos kësaj, nga ana e Qeverisë së Kosovës, mungoi hartimi dhe zbatimi i një politike konsekuente zhvillimore makroekonomike, në mungesë të së cilës, zhvillimi ekonomik gjatë tërë periudhës së pas çlirimit, po edhe tani u zhvillua dhe po zhvillohet ad hoc, pa vizion dhe pa strategji zhvillimore afatgjate. Aktualisht, si sfidë kryesore e zhvillimit ekonomik prap po paraqiten temat politike, por duke iu shtuar edhe pandemia dhe inflacioni, si dy faktorë që po reflektohen në mënyrë direkte në rrjedhat negative dhe në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik dhe në “lehtësimin” e “shportës” jetësore të konsumatorit. Me këtë rast, unë nuk do të ndalem në ndonjë analizë empirike të zhvillimit ekonomik, por do të përqendrohem vetëm në ndikimin e inflacionit në “shportën” jetësore të konsumatorit, duke e përcaktuar edhe pagën minimale sipas metodologjisë ndërkombëtare.

Me qëllim që të kuptohet më mirë nga opinioni i gjerë, së pari, po e japim përkufizimin e inflacionit. Thënë në mënyrën më të thjeshtë, inflacioni paraqet ngritjen e vazhdueshme të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Andaj, inflacioni si dukuri ekonomike shpreh ngritjen e përgjithshme të nivelit të çmimeve, e jo të çmimeve veç e veç të mallrave dhe të shërbimeve, pra ngritjen mesatare të çmimeve, që quhet indeksi i çmimeve të prodhuesit. Së dyti, duhet bërë dallimin ndërmjet indeksit të çmimeve të prodhuesit, me indeksin e çmimeve me pakicë. Këta dy lloj indeksesh nuk janë identik, përkatësisht ekuivalent në mes vete, dhe nuk duhet marrë si të njëjtë, sepse ata në esencë (përmbajtje) dallojnë njëri nga tjetri. Kjo rrjedhë nga fakti se prodhimtaria e përgjithshme në kuadër të një vendi nuk është e barabartë me sasinë e të mirave materiale, të cilat konsumohen në kuadër të po atij vendi, sepse një pjesë e tyre importohen, e një pjesë eksportohen. Prandaj, në kontekst të kësaj duhet potencuar se, konsumatorit nuk i intereson indeksi i çmimeve të prodhimit, por indeksi i çmimeve mesatar të konsumit me pakicë, pra, të të mirave (artikujve) material që ai i konsumon. Siç dihet, në mungesë të prodhimit vendor, një pjesë e konsiderueshme (rreth 80,0%) e të mirave materiale për nevojat e tregut të brendshëm, Kosova importon nga vendet tjera, ku partner kryesor janë vendet anëtare të BE-së. Në vitin 2020, nga vlera e përgjithshme e importit të Kosovës, vetëm vendet anëtare (27) të BE-së merrnin pjesë me 45,8%. Kur kësaj i shtojmë se në euro zonë pritet të ngritën çmimet diku rreth 3,4%, atëherë, është e kuptueshme se në të ardhmen priten të rriten çmimet edhe në Kosovë. Po ashtu, rritje çmimesh pati edhe në vendet fqinje, si: në Shqipëri 2,4%, në Mal të Zi 3,6%, në Maqedoninë Veriore 3,6% dhe në Serbi 4,3%, nga të cilat vende Kosova importon kryesisht artikuj ushqimor, andaj inflacioni do të vije edhe nga importimi i mallrave nga këto vende. Për më tej, duke pasur parasysh inflacionin në vendet fqinje e në Evropë, pritet që edhe më tej të vije deri te ngritja e çmimeve, që dukshëm do të zvogëlojë fuqinë blerëse të konsumatorit, në një anë, dhe do të rrisë varfërinë e popullatës, në anën tjetër.

Siç dihet, inflacioni godet shtresën e popullsisë me të ardhura të ulëta, sepse në kushte tjera të pa ndryshueshme, ai ndikon në zbrazjen e “shportës” jetësore, përkatësisht zvogëlon fuqinë blerëse të konsumatorit. “Shporta” jetësore matet me indeksin e çmimeve me pakicë (Consume price index-CPI). Kështu, indeksi i çmimeve me pakicë të konsumatorit, matë shpenzimet e një shporte të të mirave materiale (mallrave) dhe shërbimeve që konsumon një familje gjatë një periudhe të caktuar kohore, për një ditë, një javë, një muaj etj. Kjo shportë përmban të gjitha produktet dhe shërbimet që i nevojiten një familjeje për të siguruar ekzistencën e saj në periudhë të caktuar kohore, si bukë, vaj, krip, sheqer, pemë, perime, barna, shërbime komunale etj. Me fjalë të tjera, ajo shpreh buxhetin familjar për kohë të caktuar dhe quhet “shporta” jetësore. Indeksi i çmimeve me pakicë i konsumatorit është tregues që shpreh ndryshimin e çmimeve me pakicë, i cili llogaritet për periudha të caktuara dhe tregon ndryshimin relativ të çmimeve të artikujve kryesor për ekzistencë dhe të shërbimeve. Nëpërmjet këtij indeksi, duke mos ndryshuar niveli nominal i pagave, shprehet rënia e fuqisë blerëse e konsumatorit dhe duhet të shërbejë si bazë për ngritjen e pagave nominale. Andaj, nëse dëshirohet të mbetet në nivelin e njëjtë fuqia blerëse e konsumatorit me rastin e paraqitjes së inflacionit, atëherë paga nominale duhet të rritet për aq sa është edhe norma e inflacionit, në të kundërtën inflacioni zvogëlon fuqinë blerëse të konsumatorit, ulë standardin jetësor dhe rritë varfërinë e shtresës së popullsisë që kanë të ardhura të ulëta.

Shporta jetësore, apo siç mund të quhet ndryshe minimumi jetik, apo “varfëria ushqimore-ekstreme ose fiziologjike”, paraqet barometrin më relevant të varfërisë. Andaj, treguesi më relevant që shpreh nivelin e jetesës së popullsisë, është minimumi jetik ose “shporta” e jetesës. Shporta e jetesës, apo minimumi ekzistencial, përcakton dhe shpreh nivelin e domosdoshëm të të ardhurave të individit dhe anëtarëve të familjes së tij (buxhetin familjar), për t’i plotësuar nevojat e mbijetesës minimale, apo si thotë populli “për të mbajtur frymën gjallë-për të gjallëruar”, në periudhë të caktuar kohore. Nga kjo që u tha më sipër, nuk është vështirë të nxjerrim konstatimin se, shporta e jetesës njëherit shpreh edhe pagën minimale.

Siç dihet, Qeveria e Kosovës, deri më tani asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme të llogarisë pagën minimale dhe treguesit kryesor që përcaktojnë (shprehin) kufirin minimal jetik. Një gjë e tillë, jo vetëm që ka qenë e nevojshme, por paraqet domosdoshmëri, sepse duhet ditur se cila shtresë e popullsisë në pikëpamje absolute dhe relative bënë pjesë në grupin (kufirinë) e varfërisë. Siç dihet, Kosova për kah niveli i zhvillueshmërisë matur me Bruto Produktin Vendor për një banor, paraqet vendin më të pa zhvilluar në Ballkan, Evropë e më gjerë. Kosova ka normë më të ulët të punësimit e normë më të lartë të papunësisë në rajon. E gjithë kjo është shprehur në nivelin e ulët të standardit jetësor të popullsisë dhe në nivelin e lartë të varfërisë. Shkalla e varfërisë së skajshme (që është më pakë se një (1) euro në ditë), sillet diku 17-20%, kurse në kufij të varfërisë gjendet mbi 30,0% e popullsisë. Nga këto të dhëna del se, diku rreth 50,0%, e ndoshta edhe më shumë e popullsisë së Kosovës gjendet në kufij të varfërisë.

Në vazhdim të këtij shkrimi, do të llogarisim “shportën” jetësore për disa vite në Kosovë, sipas metodologjisë ndërkombëtare. Siç cekëm më sipër, “shporta” jetësore, përfaqëson atë nivel të të ardhurave (buxhetin familjar), që mundëson mbulimin e nevojave ushqimore për të marrë kaloritë e domosdoshme për jetesë prej 2.200-2.600 cal në ditë, e që llogaritet, apo caktohet sipas rekomandimeve të institucioneve botërore (FAO-së), si dhe nga institucionet vendore përkatëse. Si rrjedhim, sipas metodologjisë ndërkombëtare kamë llogaritur “shportën” jetësore të individit për një muaj për disa vite në Kosovë, në bazë të çmimeve publike të dhëna nga AKS-ja, të artikujve që përfshihen në këtë shportë, që njëherit, paraqet edhe bazën për llogaritjen e pagës minimale. Këtë llogaritje e kam bërë në bazë të Modelit të një norme mujore ushqimore për një person që siguron diku rreth 2.600 cal në ditë, sipas standardeve ndërkombëtare, duke llogaritur në bazë të çmimeve me pakicë për çdo artikull veç e veç të marrura nga Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës për vitet përkatëse. Në bazë të këtyre të dhënave publike, vlera mujore për produkte kryesore ushqimore për një person ka dalur, më sa vijon: për vitin 2013-68,31 euro, për vitin 2014-65,82 euro, për vitin 2016-62,66 euro, për vitin 2018-68,70 euro, për vitin 2019-74,68 euro dhe për vitin 2020-79,10 euro.

Andaj, duke iu referuar të dhënave të sipër cekura, del konstatimi se minimumi jetik (substancial-sasia e të mirave materiale për plotësimin e nevojave të domosdoshme jetësore), për një muaj i një individi, të shprehura vetëm në gjërat ushqimore, duke i shumëzuar për katër (4) anëtar, sipas standardit ndërkombëtar, del se në vitin 2013, paga minimale është dashur të ishte 273,24 euro, më 2014-263,28, më 2016-250,64, më 2018- 274,80, 2019-298,76 dhe më 2020 do të duhej të ishte 316,40 euro, e ndoshta edhe më shumë. Ndërkaq, gjatë këtyre viteve në Kosovë paga mesatare neto ishte, më sa vijon: më 2014 ishte 365 euro (në sektorin publik 423 euro, në sektorin privat 301 euro), më 2016 ishte 382 euro (në sektorin publik 467 euro, në sektorin privat 310 euro), më 2018 ishte 409 euro (në sektorin publik 509 euro, në sektorin privat 342) dhe më 2020 ishte 416 euro (në sektorin publik 552 euro, në sektorin privat 342). Nga këto të dhëna nuk është vështirë të konstatohet se në sektorin privat, paga neto mesatare ishte dukshëm më e vogël në raport me sektorin publik, edhe pse është bartës kryesor i zhvillimit ekonomik. Në Kosovë ekziston një disproporcion shumë i madh ndërmjet pagave maksimale dhe pagave mesatare, e mos të flasim për pagën minimale. Kemi paga që janë edhe mbi 5.000 euro, por kemi paga që janë edhe 170, 200 euro etj. Andaj, ky disproporcion pagash nuk arsyetohet, as kur është fjala ndërmjet pagës mesatare neto të sektorit publik e atij privat, e mos të flasim për pagën minimale, e ato nën minimalen. Ky dallim i madh i nivelit të pagave, paraqet një paradoks të llojit të vet, që nuk donë koment.

Është për të ardhur keq, por e vërtetë se Qeveria e Kosovës deri më tani nuk e ka llogaritur pagën minimale në bazë të elementeve kryesore që përcaktojnë (shprehin) kufirin minimal të jetesës, pra, sipas “shportës” jetësore. Për më tej, ashtu si është caktuar paga minimale, del se ajo është përcaktuar sipas dëshirës, apo më mirë me thënë sipas hamendjes, apo “zgjate” dorën, pa e analizuar përmbajtjen dhe funksionin e saj. Përcaktimi i pagës minimale deri më tani në Kosovë, është bërë me vendime të akteve ligjore, e jo sipas kritereve përkatëse që shërbejnë për të caktuar vlerën e pagës minimale. Kështu, më 2011, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, është përcaktuar me ligj paga minimale, e cila ishte e ndarë në dy pjesë kryesore edhe atë sipas gjinisë. Sipas këtij Ligji, punëtorëve që ishin deri në moshën 35 vjeçare, u ishte caktuar paga minimale në vlerë prej 130 euro, kurse punëtorëve mbi moshën 35 vjeçarë (35-65), vlera e pagës minimale ishte 170 euro. Çka është edhe më e keqja, që ky nivel i pagës minimale edhe tani është në fuqi. Kjo pagë minimale, po të ishte ndihmë sociale, do të jetë pak, e jo si pagë. Sipas llogarisë së “shportës” jetësore të prezantuar më sipër, del se një personi, duke e konsumuar vetëm një (1) bukë në ditë, për një muaj vetëm për bukë i shkojnë minimum 10,5 euro (30 ditë nga 1 bukë me çmim 0,35 euro = 10,5 euro). Siç dihet, madhësia mesatare e ekonomive familjare më 2020 në Kosovë ishte pesë (5) anëtarëshe. Atëherë, nëse presupozojmë se kjo familje konsumon vetëm dy bukë në ditë, (kuptohet se konsumon më shumë, për shkak të strukturës së ushqimit), me ç’rast familja vetëm për bukë për një muaj, do të shpenzojë 21 euro të pagës minimale prej 130 eurove. Andaj, për plotësimin e gjërave tjera ekzistenciale asaj i mbesin vetëm edhe 109 euro. Tani shtrohet pyetja. Çka mund të blihet me këto para, në këto kushte të inflacionit të lart?!! Vetvetiu shtrohet pyetja. Grupi punues që e ka caktuar këtë nivel të pagës minimale, në çfarë kriteresh është bazuar?!! Me fjalë të tjera, me çfarë formule është konstatuar se paga minimale në Kosovë duhet të jetë në vlerë 130 dhe 170 euro, e ndarë sipas moshës?! Absurditet i llojit të vet. Së pari, do të thoja se, përcaktim i nivelit të tillë të pagës minimale, është bërë pa kurrfarë kriteresh dhe si i tillë është i pa justifikueshëm, jo vetëm në pikëpamje metodologjike, por edhe ekonomike e sociale, dhe, së dyti, ndarja e punëtorëve në dy grupe sipas moshës, paraqet diskriminim të llojit të vet ndërmjet grup-moshave. Paga minimale duhet të jetë lineare, e jo sipas grup-moshave. Kjo për arsye se përmbushja e nevojave jetike, është e njëjtë për të gjitha moshat, nuk është më e vogël për punëtorët e grup-moshës deri në 35 vjet, e më e madhe për grup moshën e punëtorëve mbi 35 vjet. Andaj, paga minimale duhet llogaritur, jo sa për ta përmbushur një obligim institucional, por është e nevojshme që nëpërmjet pagës minimale të sigurohet minimumi i ekzistencës jetësore për të gjithë të të punësuarit pa marrë parasysh moshën dhe pronësinë sektoriale ku punojnë (publik apo privat). Kjo, për arsye se, pa marrë parasysh moshën dhe sektorin ku punojnë, nevojat për plotësimin e gjërave ekzistenciale për konsumatorin janë të njëjta. Me rastin e blerjes së produkteve ekzistenciale, te arka nuk të pyesin se sa vjeç je, apo ku punon, sa e ka pagën etj. por duhesh të paguash aq sa është çmimi.

Tani të bëjmë një krahasim të vlerës së pagës minimale ekzistuese në raport me pagat neto mesatare në Kosovë sipas sektorëve. Kështu, paga minimale prej 130 eurove në vitin 2019, merrte pjesë relative në pagën neto mesatare të Kosovës me 30,2%, të sektorit publik me 25,0%, e të sektorin privat me 34,9%, kurse kjo pjesëmarrje relative për pagën minimale 170 euro ishte: 39,5%, 32,8% dhe 45,7%. Ndërkaq, në vitin 2020 kishim këtë situatë. Paga minimale prej 130 euro, merrte pjesë në pagën neto mesatare të Kosovës me 31,3% , të sektorit publik me 23,6%, të sektorit privat me 38,0%, kurse kjo pjesëmarrje relative për pagën minimale prej 170 euro ishte: 40,9%, 30,8% dhe 49.7%.

Tani të shohim si konsumatori do të përballojë nivelin e lartë të çmimeve të artikujve kryesor ekzistencial, kur paga mesatare neto dhe ajo minimale mbesin të njëjta dhe shumë të ulëta përballë çmimeve të larta. Në kontekst të kësaj duhet theksuar se, paga mesatare neto në sektorin privat që ishte në vitin 2020 (342 euro), do të jetë për afërsisht sa niveli i pagës minimale e llogaritur sipas metodologjisë ndërkombëtare për “shportën” jetësore (316,40 euro) në këtë vit. Me fjalë të tjera, niveli i pagës mesatare minimale të sektorit privat, që përbën pjesën dërmuese të të punësuarëve, nuk do të mund t’i përballojë vlerës së “shportës” jetësore me një pagë prej 342 erove.

Sipas Agjencionit Kosovar të Statistikave në periudhën shtator 2020, shtator 2021, norma mesatare e inflacionit në Kosovë ishte 4,9%, një rritje tejet e lartë që nuk kishte ndodhë më parë. Ndonëse mesatarja nuk paraqet pasqyrë reale të nivelit të çmimeve sipas artikujve, sepse kjo i bie sikur dikush han mish, e dikush lakra, mesatarja del mish e lakër. Në kontekst të kësaj duhet theksuar se, rritja e çmimeve te artikujt kryesorë të “shportës” jetësore, kanë ndikim më të madh në zvogëlimin e fuqisë blerëse të konsumatorit. Në gusht të këtij viti, kemi ngritje të lartë të çmimeve pikërisht në këto artikuj. Kështu, ngritja e lartë e çmimeve ishte pikërisht te këto grupe artikujsh: bukë dhe drithëra 1,5%, mish 1,9%, qumësht, djathë dhe vezë 7,7%, vajra dhe yndyra ushqimore 28,2%, perime 19,7%, sheqer, reçel, mjaltë, çokollate dhe ëmbëlsira 2,1% etj. Në vazhdim sjellim çmimet e disa artikujve kryesore të “shportës” jetësore për vitin 2020, në Evropë dhe në Kosovë, për të bërë një krahasim në mes tyre.

Image

Siç shihet nga të dhënat në tabelën e më sipërme, çmimet e këtyre artikujve, janë më të larta në Kosovë se në Evropë. Nëse marrim mesataren arithmetike për këta artikuj, në Evropë kemi çmimin mesatar 1,16 euro, kurse në Kosovë 1,34 euro. Andaj, sipas këtyre të dhënave shihet se në Kosovë çmimi mesatar i këtyre artikujve ishte më i lartë se në Evropë për 1,2 herë. Këto të dhëna më vërtetojnë slloganin tim kur them: Kosova ka çmime evropiane, e paga afrikane.

Prodhuesit vendor paralajmërojnë se rritja e çmimeve pritet të jetë 30-40,0% në të ardhmen, duke pasur parasysh rritjen e faktorëve të prodhimit (derivateve të naftës dhe energjisë elektrike). Sipas tyre, pritet që në muajt pasues do të kemi në vazhdimësi rritje të çmimeve të derivateve të naftës, me ç’rast do të rritet kostoja e çmimit prodhues që ka efekte e reperkusione multiplikative negative për konsumatorin, sepse ato paraqesin faktor të rëndësishëm në prodhimin e shumë produkteve, veçmas të atyre ushqimore. Po ashtu, pritet që të vijë edhe deri te ngritja e çmimeve të energjisë elektrike, që paraqet faktor të rëndësishëm në prodhimin e të mirave materiale, që po ashtu do të kenë reperkusione multiplikative në ngritjen e çmimeve edhe në periudhën e ardhshme, ndoshta edhe para vitit të ri. Kjo mund të ndodhë për shkak se, në sezonin dimëror një numër i konsiderueshëm i familjeve nxehen me rrymë, që reflekton në rritjen e kërkesën, e që prodhimi vendor me kapacitetet ekzistuese, nuk do të mundet t’i përgjigjet konsumit të rritur të energjisë elektrike. Me ç’rast për plotësimin e nevojave me energji elektrike të subjekteve ekonomike dhe amvisnive, Kosova do të jetë e detyruar të importojë rrymë nga vendet e Evropës, ku çmimet e energjisë elektrike janë të larta. Kjo, vetvetiu sjellë edhe inflacionin në Kosovë.

Andaj, situata që do të krijohet në muajt në vijim do të kushtëzojë edhe më ngritjen e çmimeve, që drejtpërdrejt do të shprehet në zvogëlimin e fuqisë blerëse të konsumatorit, përkatësisht gjithnjë e më shumë do të “lehtësohet” zbrazet “shporta” e jetesës së tyre. S’ka dyshim se, kjo situatë do të rëndojë edhe më buxhetin familjar dhe do të zvogëlojë fuqinë blerëse të konsumatorit, si dhe do të ulë standardin jetësor e do të rrisë varfërinë dhe problemet sociale, të cilat edhe ashtu janë të theksuara në Kosovë. Kur krejt kësaj i shtojmë nivelin e ulët të pagave, duke përfshirë edhe pensionet shumë të ulëta të pensionistëve, papunësinë e madhe dhe numrin e familjeve që përfitojnë nga ndihma sociale, që në vitin 2020 ishte 25.679, apo numri i anëtarëve i këtyre familjeve do të ishte 128.395 (madhësia mesatare e ekonomive familjare më 2020 ishte 5 anëtarëshe), del konstatimi se pjesa dërmuese e popullsisë në Kosovë, nuk mund t’i përballojë nivelit të lartë të çmimeve dhe as përsëafërmi nuk do të mund t’i plotësojë nevojat më elementare ekzistenciale.

Në fund, mendojë se duke pasur parasysh ngritjen e lartë të çmimeve, para Inspektoratit të Tregut dhe Departamentit për mbrojtjen e konsumatorit dhe institucioneve tjera gjegjëse të vendit, shtrohet nevoja dhe detyra që të bëhet një analizë empirike, për të konstatuar shkaqet e inflacionit, si dhe eventualisht keqpërdorimet, që do të shërbejnë si material që Qeveria sa më parë të hartojë Programin anti-inflator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat