Rritja e çmimeve – Limani tregon efektet negative tek qytetarët

Ekonomi

Rritja e çmimeve – Limani tregon efektet negative tek qytetarët

Nga: M.H. Më: 26 mars 2022 Në ora: 20:16
Musa Limani

Ekonomia e vendit mbetët një nga fushat më të rëndësishme të çdo vendi, edhe Kosovës.

Që nga pandemia ekonomia është pjesa më e prekur, pasi me mbylljen e vendeve janë prekur edhe të hyrat e të dalurat e çdo vendi.

E së fundmi rritja e çmimeve po paraqet një nga problemet e radhës të qytetarëve të Kosovës.

Në lidhje me këtë për “Bota sot”, ka folur profesori i ekonomisë, Musa Limani.

Ai u shpreh se kjo rritje e çmimeve ka arritur të çrregulloj ofertën dhe kërkesën e tregut të brendshëm dhe se ngritja e çmimeve të derivateve të naftës, ka efekte negative multiplikative, sepse shumë degë prodhuese si faktorë të prodhimit dhe shërbimeve përdorin naftën, veçmas gastronomia, komunikacioni automobilistik, furrtarët etj

Inflacioni, përkatësisht ngritja e çmimeve paraqet çrregullim në mes ofertës dhe kërkesë, si në tregun e brendshëm, ashtu dhe në atë ndërkombëtar. Andaj, ndryshimi i cilitdo faktorë të prodhimit, automatikisht reflektohet edhe në ndryshimin e çmimit kushtues, e që drejtpërdrejtë ndikon në ngritjen edhe të çmimit shitës. Siç dihet, jo vetëm tek ne, por edhe në përmasa ndërkombëtare erdhi deri te ngritja enorme e çmimit të naftës dhe derivateve të naftës. Ngritja e çmimeve të derivateve të naftës, ka efekte negative multiplikative, sepse shumë degë prodhuese si faktorë të prodhimit dhe shërbimeve përdorin naftën, veçmas gastronomia, komunikacioni automobilistik, furrtarët etj. Që në mënyrë direkte godasin artikujt ushqimor dhe biletat e udhëtarëve dhe përdoruesit e automobilave, që ngarkojnë buxhetin familjar, zvogëlojnë fuqinë blerëse dhe zbrazin "shportën" e jetesës së konsumatorëve, si dhe rrisin varfërinë dhe ulin standardin jetësor të popullatës. Veçmas ngritja e çmimeve erdhi te artikujt kryesor ushqimor, ku 70% e buxhetit familjar harxhohet në këto artikuj. Tani me ngritjen e çmimeve edhe në energjinë elektrike, ka vështirësuar edhe më buxhetin familjar”, u shpreh ai.

Ndër të tjera ai shton që në mungesë të prodhimeve vendore, Kosova është e shtrënguar të importojë, dhe në ketë mënyrë vendi jonë është shndërruar në vend konsumues, kjo sipas Limanit do të duhet të jetë sinjal për Qeverinë se duhet dhënë, edhe për rreth problemeve politike me të cilat ballafaqohet Kosova, prioritet zhvillimit ekonomik.

Ngritja e çmimeve më së shumti godet shtresën e popullatës me të ardhura të ulëta, sepse zvogëlon fuqinë blerëse, që edhe ashtu është e ulët. Kur kësaj i shtojmë se në Kosovë niveli i pagave është i ulët dhe papunësia dhe problemet sociale të mëdha, del konstatimi se pjesa dërmuese e popullatës së vendit tonë aktualisht përballet me luftën për sigurimin e gjërave ushqimore ekzistenciale. Një përqindje e inflacionit importohet, sepse Kosova importon mbi 80% të të mirave materiale për nevoja të tregut vendor, nga vendet ku edhe kemi inflacion. Kështu, në mungesë të prodhimeve vendore, Kosova është e shtrënguar të importojë, dhe në ketë mënyrë vendi jonë është shndërruar në vend konsumues. Kjo do të duhet të jetë sinjal për Qeverinë se duhet dhënë, edhe për rreth problemeve politike me të cilat ballafaqohet Kosova, prioritet zhvillimit ekonomik. Me këtë rast shteti, duhet të intervenojë me instrumente të politikës fiskale, për zbutjen e situatës së krijuar ekonomike, duke mbështetur konsumatorët. Si masë më kryesore do të ishte hartimi i Programit anti inflator, ku do të përfshihej një pako masash në favor të prodhuesve të të mirave materiale dhe të konsumatorëve. Andaj, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë ndihma nga Qeveria për të kaluar këtë krizë aktuale dhe mjaft të rëndë”, tha Limani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat