“Paniku tek qytetarët” / Ekonomistët alarmojnë për krizën ekonomike në Kosovë – ky është mesazhi për Qeverinë!

Ekonomi

“Paniku tek qytetarët” / Ekonomistët alarmojnë për krizën ekonomike në Kosovë – ky është mesazhi për Qeverinë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 shtator 2022 Në ora: 16:55
Ilustrim

Situata ekonomike në vend po vazhdon të jetë jo stabile për shkak të rritjes së çmimeve, e cila po e vështirëson jetesën e qytetarëve.   

Çmimi lartë i derivateve,  gjërave ushqimore, energjisë elektrike etj,  dhe paralajmërimet për shtrenjtim të mëtutjeshme po i preokupojnë më së shumti qytetarët e Kosovës në këtë fillim shtatori.  

Ngritja e pagave po mbetët kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve ndaj institucioneve të vendit, derisa ligji për pagat ende nuk është miratuar.  

Edhe më e rëndë po bëhet gjendja për qytetarët, kur në vazhdimësi po flitet që nëse vazhdon kjo gjendje do të kemi një përshkallëzim të situatës. 

Së fundmi, greva nga SBASHK ka ndërlikuar edhe më shumë situatën në vend, duke lënë kështu shkollat pa filluar mësimin dhe mësimdhënësit pa paga. 

Në lidhje me këtë situatë ekonomike në vend, “Bota sot”, ka kontaktuar me njohësit e fushës së ekonomisë, të cilët kanë trajtuar këtë temë. 

Kadriaj: Qeverisja e kryeministrit Kurti në nivel ndërkombëtar nuk është keq, mirëpo në nivel ekonomik duhen ndryshime 

Image
Mustafë Kadriaj

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur ekonomisti Mustafë Kadriaj. 

Ai ngriti dy çështje sa i përket qeverisjes së kryeministrit Kurti, duke përmbledhur kështu edhe vendimet në nivel ekonomik. 

Sipas tij, qeverisja në nivel ndërkombëtar nuk mund të themi që është keq, pasi kryeministri ka një qëndrim dhe ka nivel të lartë të intelektualitetit. 

“Nëse flasim për nivel të performancës së nivelit ndërkombëtar vlerësoj që qeveria Kurti 2 nuk është keq, sidomos kryeministri ka një qëndrim, është vetvetja dhe ka një nivel të lartë të intelektual që kjo të bënë të ndjehesh mirë si qytetarë  dhe si opinonist në nivel të Republikës së Kosovës. Por, kur flasim në nivel të politikave ekonomike  vlerësoj që është edhe më keq se të tjerat sepse pa marrë parasysh kryeministrat e kaluar ndoshta nuk kanë pasur nivel intelektual, por kanë qenë pragamatik dhe i kanë shtyrë problemet më shpejt, kanë qenë më në kohë. Ndërsa kryeministri aktual e ka një lloj performance që po tenton ta mbajë në një lloj presioni qytetarin, gjithmonë duke akuzuar qeveritë e kaluara për gjërat që kanë lënë keq, korrupsion e të tjera çështje”, u shpreh ai. 

Kadriaj vazhdon me pikën e dytë të qeverisjes së kryeministrit, në atë të nivelit ekonomik, e që sipas tij, kjo qeveri nuk po arrin të ketë menaxhim të duhur, pasi kemi rritje ekstreme të çmimeve gjithashtu menaxhim jo i duhur i energjisë elektrike. 

“Por për dy vite qeverisje nuk ka as menaxhim të çmimeve, kemi një nivel të lartë të çmimeve, në nivel të gjitha çmimeve, pa marrë parasysh që ka tentuar të i bëjë disa lloj vendime arbitrare me çmime “në tavan”, por po shihet që nuk ka mundur të ia arrijë qëllimet dhe tani kemi çmime të larta në derivate, në konsum po ashtu edhe nuk po din të menaxhoj energjinë elektrike të cilën si vend e kemi një përparësi pasi kemi prodhimin tonë dhe bazën e thëngjillit që do të na jepte një përparësi krahasuese në vendet e rajonit. Në fakt ne do të duhej të ishim vend eksportues dhe nëse jo eksportues të paktën të mos flitet për reduktime. Por kjo qeveri në vitin e parë do të ishte e falshme, por jo për tani, me këto lloj reduktime dhe me këtë panik tek qytetarët. Mbi bazë të kësaj, vlerësoj që kjo qeveri duhet të ndryshoj qasje dhe në fakti vetmi reflektim që deri më tani që ka dhënë kryeministri po shihet që edhe te niveli i ministrave ka mundësi të bëhet një i  qeverisjes, sepse me të vërtet niveli i kapacitetit dhe inteligjencës po fillon dhe po mbaron tek kryeministri”, shpjegon ekonomisti. 

Duke vazhduar më tej, ai thekson që duhet të ketë një pikë reflektimi në kabinetin qeverisës pasi ka një qeveri amatere dhe të papaërvojë. 

“Ndoshta ministrat i ka secilin më të dobët se tjetrin në performancë dhe në këtë drejtim nëse dëshiron të jetë një kryeministër që të perfermoj në një nivel të duhur qeverisës duhet të ndryshoj  kabinetin qeveritar, pasi ka një qeveri amatere, qeveri pa përvojë në nivel kabineti. Pra kryeministri përveç marrëveshjeve ndërkombëtare që po arrin të jetësoj të gjitha marrëveshjet pothuajse në të mirë të vendit duhet të filloj reflektimin në mirëqenien e qytetarëve. Performancën e kryeministrit në nivel ndërkombëtar vlerësoj që nuk është keq por në nivel politike dhe ekonomike nuk është mirë dhe kjo po shihet çdo ditë e më shumë dhe kur flasim për nivelin e politikave ekonomike, atëherë na bie ndërmend që kjo qeveri në vazhdimësi shprehet se kemi të hyra dhe buxhet ndërsa nuk kemi investime kapitale”, nënvizoi Kadriaj për “Bota sot”. 

Limani: Si masë me rëndësi do të jetë rritja e fondit të mallrave, përkatësisht mbështetja institucionale subjekteve prodhuese 

Image
Musa Limani

Ndërsa profesori i ekonomisë, Musa Limani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që vendi është duke u përballur me një situatë të rëndë ekonomike dhe se qeveria nuk është duke punuar në këtë drejtim. 

Sipas profesorit të ekonomisë, as në të ardhmen nuk pritet stabilizim i tregut, çmimet me siguri do të rriten edhe më, veçmas të artikujve kryesor të “Shportës” të jetesës. 

“Është për të ardhur keq, por situata ekonomike, veçmas ajo sociale në Kosovë, është shumë e rëndë dhe alarmuese. Çmimet po rriten dita më ditë, në një anë, e pagat janë "ngrirë", e cila gjendje po e godet pjesën dërmuese të popullsisë së Kosovës, e që po reflektohet direkt në rritjen e varfërisë dhe problemeve sociale dhe në uljen e standardit jetësor të popullsisë, në anën tjetër. Kjo gjendje, sikur nuk po i lenë përshtypje Qeverisë. Ajo, nuk ka ndonjë program as afatshkurtër, e mos të flasim për ndonjë program afatgjatë anti inflator. Masat e deritanishme që ka marrë Qeveria në "luftë" kundër inflacionit janë parciale, të njëhershme, e disa prej tyre edhe që nuk përkojnë me veprimin e ekonomisë së tregut dhe si të tilla nuk patën efekte pozitive, në mbështetjen e konsumatorëve dhe bizneseve. As në të ardhmen nuk pritet stabilizim i tregut, çmimet me siguri do të rriten edhe më, veçmas të artikujve kryesor të "Shportës" të jetesës, për shkak të çmimeve të larta të derivateve të naftës dhe energjisë elektrike, që reflektohen si te bizneset, veçmas në gastronomi e komunikacion dhe te konsumatorët”, shprehet profesori. 

Në bisedë e sipër, profesori thotë që qeveria duhet të ndërmerr masa urgjente dhe sa më shpejt duhet të përcaktohet paga minimale. 

Masë tjetër do të ishte përkufizimi i kredive dhe rritja e normës së interesit, shton profesori. 

“Në ketë situatë aktuale ekonomike, përfiton vetëm shteti. Humbës janë si bizneset ashtu dhe konsumatorët. Masa urgjente që duhet të marrë Qeveria është aprovimi sa më parë i nivelimit të pagave, veçmas përcaktimi i pagës minimale. Nuk e di pse po prolongohet kjo çështje nga ana e Qeverisë?!. Madje, masat e politikës fiskale janë instrument me rëndësi të veçantë për Qeverinë për të mbështetur, si bizneset ashtu dhe konsumatorët. Masë tjetër do të ishte përkufizimi i kredive dhe rritja e normës së interesit. Si masë me rëndësi do të jetë rritja e fondit të mallrave, përkatësisht mbështetja institucionale subjekteve prodhuese. Kuptohet, ka edhe masa të tjera, por këto do të ishin masat kryesore që do të ndikonin në paraqitjen e deflacionit, pra uljes së çmimeve”, përfundoi Limani për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat