​CEFTA vazhdon të zgjerojë Korridoret e Gjelbra CEFTA-TCT me BE-në

Ekonomi

​CEFTA vazhdon të zgjerojë Korridoret e Gjelbra CEFTA-TCT me BE-në

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 19:39
Foto ilustrim

Java tradicionale e CEFTA-s po mbahet këtë vit në Bruksel, ku në fokus do të jetë bashkëveprimi i politikës tregtare, integrimi rajonal, duke u përqendruar në rëndësinë e lehtësimit të tregtisë në rajon dhe ndërlidhjet midis tregtisë dhe bashkëpunimit mes komunitetit të biznesit.

Konferenca qendrore e CEFTA, “ Një hap drejt Tregut Unik të BE-së”, do të mbahet të premten, më 9 dhjetor, ku administratat doganore të Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi do të nënshkruajnë Memorandume Mirëkuptimi, duke zgjeruar më tej Korridoret e Gjelbra CEFTA-TCT me Bashkimin Evropian.

Zgjerimi i iniciativës drejt vendeve anëtare të BE-së filloi në korrik të këtij viti me vendosjen e shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe vazhdoi në shtator me vendosjen e Korsive Blu ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë.

Nisma mundëson përshpejtimin e procedurave doganore dhe formaliteteve të tjera në vendkalime dhe lehtëson eksportin e CEFTA-s, pasi sistemi SEED+ lidh administratat doganore të Palëve CEFTA dhe Bashkimin Evropian.

Drejtori i Sekretariatit të CEFTA-s, Emir Xhikiq, theksoi se përfitimet kryesore të projektit SEED-fleksibilitetin dhe përshtatshmërinë ndaj nevojave të administratave doganore që e përdorin atë për të zvogëluar formalitetet gjatë transportit të mallrave.

"Përveç reduktimit të kohës së pritjes në vendkalime, lehtësimit efektiv të transportit dhe tregtisë, reduktimit të kohës së pritjes, bizneset tani marrin mundësi të reja për të përdorur më mirë zinxhirët e furnizimit të integruar me tregun e BE-së. Të gjitha këto janë përfitime të mëdha dhe të qëndrueshme për njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe flukset tregtare nga rajoni i CEFTA-s drejt BE-së”, tha ai.

Ndërsa Jeta Deda, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit deklaroi se Shqipëria mbështet projektin SEED+, i cili synon të lehtësojë tregtinë duke përdorur sistemin CEFTA Traces NT për lëshimin e dokumenteve për import/eksportin e produkteve bimore, me origjinë shtazore, kafshëve të gjalla dhe produkteve jo me origjinë shtazore.

“Ky sistem kontrolli na ndihmon në procesin e ndjekjes së produkteve që importohen dhe eksportohen përmes CEFTA-s”, tha Deda.

Në kuadër të Javës CEFTA 2022, më 8 dhjetor do të mbahet Takimi i Nivelit të Lartë SEED+ “Arritjet, Sfidat dhe Rruga përpara”, ku do të mblidhen drejtorët e doganave, agjencive veterinare, fitosanitare dhe agjencive për barna, për të bërë një bilanc të progresit të SEED+ në përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave doganore dhe në gjenerimin, përpunimin dhe shkëmbimin e certifikatave fitosanitare, veterinare dhe farmaceutike dhe dokumenteve të hyrjes, duke përfshirë e-certifikatat, duke e afruar CEFTA-n me tregtinë pa letra.

Ndërsa Sulltane Havolli, drejtore e Departamentit të Autorizimit të Marketingut në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Mjekësore në Ministrinë e Shëndetësisë deklaroi se besojnë fuqimisht se zbatimi i projektit SEED+ do të sjellë ndikim pozitiv në lehtësimin e tregtisë dhe menaxhimin e rrezikut.

“Aksioni mbështet shkëmbimin e të dhënave për lejet e tregtimit të barnave me substanca të kontrolluara dhe kjo është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh implikimin e këtyre dokumenteve në shkëmbimin tregtar. Lehtësimi i procedurave përmes dixhitalizimit do të ndihmojë synimet tona drejt tregut të përbashkët rajonal si një hap fillestar drejt tregjeve të BE-së,” tha Havolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat