​“Askush nuk investon ku s’ka siguri”, njohësit ngrenë alarmin: Veriu po dëmton ekonominë

Ekonomi

​“Askush nuk investon ku s’ka siguri”, njohësit ngrenë alarmin: Veriu po dëmton ekonominë

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 10:15
Tensionet e fundit në veri të Kosovës

Tensionet në komunat më veriore të Republikës vlerësohet se po ndikojnë negativisht në aspektin ekonomik. Njohës të fushës së ekonomisë vlerësojnë se kjo situatë është tejet shqetësuese edhe për investitorët e huaj, duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’i thërrasë mendjes dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë tensionet e muajit të fundit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë bërë që vendi të humbasë investimet e mundshme që vijnë nga jashtë.

Profesori Kadriaj kërkon nga qeveria të jetë e vëmendshme dhe t’i përgjigjet bashkësisë ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri, në mënyrë që të krijojë besueshmëri, ku kjo do të reflektojë te investitorët e huaj.

Sipas tij, asnjë investitor nuk dëshiron të investojë në një vend ku nuk ka siguri për kapitalin e tyre.

Kadriaj: Asnjë investitor nuk dëshiron të investojë në një vend ku nuk ka siguri

“Asnjë investitor nuk dëshiron të investojë në një vend ku nuk ka siguri për të investuar kapitalin e tij. Para se të shoh pjesën e taksave, infrastrukturën ligjore e atë teknike, është siguria, sepse është parakusht që një investitor i huaj të investojë në Kosovë. Në këtë drejtim, qeveria duhet t’i thërrasë mendjes që të ulet në tavolinën e bisedimeve dhe t’i krijojë raportet siç ka qenë me Bashkësinë dhe miqtë ndërkombëtarë, dhe t’i krijojë një lloj besueshmërie që ne sërish mund të kthehemi në tavolinë, dhe në një mënyrë kjo do të reflektojë tek investitorët e jashtëm. Sepse, me këtë lloj ngërçi politik në arenën ndërkombëtare, tani për tani Kosova më shumë e ka problemin me miqtë ndërkombëtarë sesa me vet Serbinë, kështu në këtë drejtim, qeveria duhet të reflektojë që të krijohet një parakusht që investitorët e huaj mos ta shohin Kosovën si një vend ku ka konflikt dhe krizë të sigurisë, por një vend ku mund të bëhet biznes”, thotë Kadriaj.

Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gerxhaliu vlerëson se stabiliteti politik është esencial për zhvillim ekonomik në vend, porse kjo sipas tij, është duke i munguar vendit.

Gërxhaliu thotë se brenga më e madhe është se situata në veri po e dëmton imazhin e Kosovës.

Gerxhaliu: Agjenda politike po e dëmton imazhin e Kosovës

“Agjenda politike kohëve të fundit në Kosovë është duke e dëmtuar Kosovën në shumë aspekte. Në këtë drejtim aty ku dominon agjenda politike në këtë formë nuk ka hapësirë për zhvillim ekonomik. Andaj, brenga më e madhe është jo vetëm në procesin intern që po dëmtohen bizneset ekzistuese, por edhe po dëmton në imazhin e Kosovës. Askush nuk do të vijë të investojë në një vend ku nuk ka stabilitet politik, në një vend ku mbyllen kufijtë qoftë për lëndë të parë apo prodhime finale, e tëra kjo po e dëmton Kosovën çdo ditë e më tepër”, thotë Gerxhaliu.

Njohësi i ekonomisë, Nagip Skenderi, gjithashtu tërheq vëmendjen se situata politike e dëmton Kosovën në aspektin ekonomik, e rrjedhimisht ndikon në investimet e huaja.

Skenderi: Kjo pashmangshëm çon në një katandisje ekonomike

“Nëse kështu vazhdon kjo situatë e pasigurisë, natyrisht se kjo çon në dëm të investimeve të huaja direkte për të ardhur të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë. Kjo pashmangshëm çon në një katandisje ekonomike. Në këtë kontekst, çdo investitor i huaj, para se të investojë kapitalin në ndonjë vend të caktuar, ata fillimisht shohin sigurinë e kapitalit të tyre se sa është i sigurt, po ashtu edhe tregun”, thotë Skenderi.

Skenderi vlerëson se Kosova nuk ofron kushte të favorshme për tërheqjen e investitorëve të huaj.Kështu vendi vazhdon të çalojë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, pasi që viteve të fundit nuk solli asnjë investitor të madh strategjik.

Janë bërë më shumë se tri vjet që kur Kosova nuk ka ligj për investimet strategjike. Ndërkaq, Projektligji për investime të qëndrueshme i miratuar në muajin janar të këtij viti nga qeveria, ende nuk është shqyrtuar në parim në Kuvendin e Kosovës.

Kosova mbetet me trendin më negativ të investimeve të huaja krahasuar me shtetet e rajonit, si Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat