​Beqiri: Fokusi i qeverisë ishte në veri, harroi sektorët tjerë për zhvillimin e vendit

Ekonomi

​Beqiri: Fokusi i qeverisë ishte në veri, harroi sektorët tjerë për zhvillimin e vendit

Më: 5 janar 2024 Në ora: 15:26
Zana Beqiri

Tensionet në veri të Kosovës gjatë vitit që lamë pas kanë ndikuar edhe në aspektin ekonomik. Qeveria e Kosovës është fokusuar vetëm në atë pjesë të vendit duke anashkaluar përmirësimin e kushteve për bizneset dhe qytetarët. Madje, për shkak të situatës jo të mirë të sigurisë janë anuluar edhe shumë vizita nga kompani të huaja.

Kështu ka thënë, drejtoresha e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Zana Beqiri, e cila thotë se viti 2023 nuk ka sjellë rezultate të mira në aspektin ekonomik, duke shtuar se qeveria ka ngecur në këtë drejtim.

Beqiri në një intervistë për KosovaPress derisa ankohet për mungesë bashkëpunimi të mirëfilltë mes këtij institucioni dhe qeverisë, thotë se shteti duhet të ofrojë më shumë mbështetje për bizneset.

Ndërsa potencon se edhe rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria nuk është reale.

Beqiri: Fokusi i qeverisë ka qenë në veri, janë harruar çështjet tjera

“Për vitin 2023 ne kemi parë mjaft ngecje sa i përket sektorit privat. Është dashur t’i jepet më shumë fokus investimeve kapitale, pastaj ndihmës ekonomike sa i përket biznesit, e jo të jetë i gjithë fokusi vetëm në një çështje në veri dhe të harrohen sektorë tjerë. Sa i përket rritjes ekonomike doli që BQK sipas raportit tregon se është 3.5 për qind dhe jo siç ishte parashikuar nga qeveria me 3.8 për qind. Pastaj problemet e ndryshme që kanë hasur bizneset kanë qenë kryesisht sa i përket tregtisë dhe investimeve...Çështjet e tregtisë me vendet e rajonit përshembull shkaku i çështjeve politike dhe shkaqeve të sigurisë të cilat dihen sa i përket veriut të Kosovës. Tregtia me Serbinë ka stagnuar dhe për këtë bizneset është dashur të gjejnë tregje alternative ku i marrin lëndën e parë, sepse një numër i madh i bizneseve tona edhe furnizohen me lëndl të parë nga Serbia, ose përmes Serbisë nga firma të ndryshme evropiane”, thekson ajo.

Beqiri thotë se nga takimet me bizneset, është kuptuar se numri i madh i qytetarëve po ikin nga vendi për shkak të kushteve të përgjithshme të punës dhe jo vetëm për shkak të pagës.

Beqiri: Qytetarët po ikin për shkak kushteve të përgjithshme jo të mira

“Bazuar nga pyetjet e shpeshta që i bëjmë në biznese, neve na rezulton që numri më madh i tyre realisht po lëvizin jo vetëm për shkak të pagës, por përshkak të sigurisë në punë, për shkak të sigurisë së kontratës së vet. Për këtë arsyeje duhet të bashkëpunon shteti me biznesin, mirëpo nuk mund ta bart biznesi gjithë barrën dhe gjithë përgjegjësinë e sigurimit të legjislacionit adekuat në emër të Qeverisë. Ne edhe gjenerojmë mbi 80 për qind të buxhetit të shtetit, d.m.th si të tillë besojmë se kontribuojmë dhe jemi interesuar të kontribuojmë edhe më shumë që të përmirësohen kushtet për të gjithë, mirëpo edhe qeveria duhet të jap përgjegjësitë e veta”, vijon Beqiri.

Ndërkaq, Beqiri shprehet e pakënaqur edhe me mungesën e bashkëpunimit mes kominitetit të biznesit me qeverinë.

Beqiri: Viti 2023 nuk ka rezultuar me bashkëpunime të mëdha me qeverinë

“Viti 2023 nuk ka rezultuar me bashkëpunime të mëdha. Janë parë një numër i madh i projekteve të cilat janë realizuar qoftë me qeveri dhe OJQ-të e ndryshme, pastaj një numër i OJQ-ve janë angazhuar në organizime të ndryshme të cilat janë ose nuk janë në domenin e tyre, mirëpo sa i përket komunikimit me dhomat e ndryshme nuk mund të them se kemi pas një bashkëpunim shumë të ngushtë. Është edhe kjo qasja që ka qenë e një numri të madh të spektri politik të cilët synojnë të komunikojnë direkt me biznese. Natyrisht është e kuptueshme që duan të marrin informacione të dorës së parë, megjithatë ne jemi këtu për të shërbyer të mirën e përbashkët për të identifikuar problemet dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta”, thotë Beqiri.

Duke folur për faktorët që kanë goditur ekonominë e vendit, Beqiri thotë se masat e BE-së karshi Kosovës, kanë ndikuar që të anulohen edhe vizita të kompanive të ndryshme të huaja.

Beqiri: Për shkak të gjendjes në pjesën veriore të vendit janë anuluar vizita nga kompani të huaja

“Një prej problemeve që e kemi pas në vitin 2023 natyrisht janë masat e BE-së. Ato janë përkthyer mjaftë keq në realitetin tonë të biznesit. Ne patëm rishtas tani edhe një organizim me një nga ambasadat të cilat i kemi partner nga vendet e BE-së dhe aty ata që ishin planifikuar, kompanitë të shumta që ishin planifikuar të vinin, nuk mund të na vizitonin për shkak se kishin frikën e sigurisë”, shton Beiqiri.

Ajo vlerëson se shteti duhet të mbështesë më shumë prodhimet vendore, e po ashtu duhet të fokusohet më shumë në sektorin e energjisë dhe atë të bujqësisë.

Beqiri: Shteti të mbështesë më shumë prodhimet vendore

“Nuk është se është ngrit importi në masë të madhe ashtu siç kemi shpresuar. Natyrisht mungojnë investime të ndryshme në sektor elementar dhe po shpresojmë se fokusi do të jetë pak më i madh në energji, bujqësi vitet në vijim, në prodhimin vendor, pasi kemi një numër të madh të prodhueseve që vinë me produkte mjaft cilësore, janë shumë të përgjegjshëm dhe kanë kohë të gjatë në Kosovë, ata meritojnë të zgjerojnë tregun e tyre në Evropë...Po ashtu ka rënë eksporti mjaft nga Serbia dhe në raport me atë shihet se një numër i vendeve të rajonit janë favorizuar nga bizneset tona”, thotë Beqiri.

Ajo potencon se liberalizimi i vizave do të ndikojë tek bizneset sa i përket punëtorëve.

Beqiri: Gjashtëmujori i parë do të jete sfidues për bizneset sa i përket punëtorëve

“Bazuar në përvojat e vendeve në rajon të cilët e kanë kaluar këtë, ne njëjtë parashohim që do të jenë gjashtë muajt e parë të vitit mund të jetë mjaft problematik për tregun e punës. Për këtë arsyeje këshilla jonë është gjithmonë të bizneset që të shohin cilat janë mundësitë që të bëjnë përmirësimet brenda kompanive, pavarësisht se Ligji i punës nuk është edhe më i miri ta mbrojë punëtorin apo punëdhënësin. Kështu po shpresojmë se ky vit do të shkojë sa më mirë të jetë e mundur”, potencon Beqiri.

Në fund, Beqiri uron që ky vit të jetë sa më i suksesshëm për bizneset.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat