Skandali i fundit, mungon ministri, dështon mbledhja e komisionit për arsim

Ekonomi

Skandali i fundit, mungon ministri, dështon mbledhja e komisionit për arsim

Më: 2 mars 2018 Në ora: 09:15
Ilustrim komisioni

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, nuk i është përgjigjur thirrjes së Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, për raportim pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Agjencia e Kosovës për Akreditim është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për shkak të ndërhyrjeve politike, pas shkarkimit të bordit të AKA-së nga Qeveria.

Dje ministri përmes një statusi në Facebook, fajin për përjashtim nga EQAR, po tenton ta hedhë te një “grup interesi” të cilët sipas tij keqinformuan këtë institucion.

Ai ka thënë gjithashtu se në MAShT nuk ndjehen mirë me këtë tendencë largimi nga ky mekanizëm evropian dhe se do ta ndihmojnë shumë Agjencinë e Akreditimit që të sqarojë EQAR-in në këta tre muaj afat për të ndalur largimin.

“Ne sigurojmë opinionin, EQAR-in, palët e interesit në Kosovë, se ne i mbajmë duart politike larg këtij institucioni dhe secilit institucion arsimor”, ka thënë ai.

Ka rikujtuar atë që e ka thënë edhe më parë, se shkarkimin e Bordit e kishte kërkuar kryeministri Ramush Haradinaj.

“Kemi bërë mirë apo keq, koha do ta tregojë, por se unë edhe pas kaq kohë pas atij vendimi, besoj se kemi bërë gjënë e duhur. Fundja, ne jemi këtu për të marrë vendime. E ardhmja do të na gjykojë nëse kemi bërë mirë apo keq”.

Sipas tij, MAShT do të ankohet në EQAR lidhur me procesin e përjashtimit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga regjistrat e vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat