Kosova përfiton 17.6 milionë euro grant për rehabilitimin e linjës 10 hekurudhore

Ekonomi

Kosova përfiton 17.6 milionë euro grant për rehabilitimin e linjës 10 hekurudhore

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 16:42
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova dhe drejtoresha e BERZH-it për sektorin e Transportit Sue Barrett

Ministri i Financave Bedri Hamza, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova dhe drejtoresha e BERZH-it për sektorin e Transportit Sue Barrett, nënshkruan sot marrëveshjen grant për fazën e dytë për rehabilitimin e linjës 10 hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë-Mitrovicë, në vlerë 17.6 milionë euro.

Me këtë rast, ministri Bedri Hamza bëri të ditur se studimi i bërë me mbështetje të Kornizës Investive të Ballkanit Perëndimor ka përcaktuar koston e financimit të tërë linjës në vlerë prej 195. 5 milionë euro, i cili do të realizohet në tri faza.

“Marrëveshja që po nënshkruajmë sot përshkon linjën nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë me 35 kilometra, nga BE-ja janë ndarë mjete në vlerë prej 17.6 milionë euro për punët fizike. Për financimin e këtij segmenti kreditë e ratifikuara në Parlament nga EIB dhe EBRD do të financojnë punimet në vlerë prej 9.2 milionë dhe 8.6 milionë respektivisht”, tha ai.

Ai bëri të ditur se MF bashkë me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Ministritë e linjës përmes Këshillit Kombëtar të Investimeve kanë aplikuar për financimin e fazës së tretë, e cila përshkon segmentin prej 42 kilometrave deri në kufi me Serbinë në vlerë mbi 24 milionë euro vetëm për punët fizike.

Shefja e Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, tha se ky projekt do të përmirësojë sigurinë dhe efikasitetin hekurudhor për gjysmën e popullatës të Kosovës dhe do të krijojë 160 vende të punës gjatë ndërtimit.

“BE ka siguruar 17.6 milionë euro grant dhe ky investim bashkë me tjera investime arrin shumën mbi 42 milionë euro, që përfshinë edhe huat e marra nga BERZH. Është në interes të qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës, që ky konektim me hekurudha të përfundojë sa më shpejt”, tha Apostolova.

Ndërsa, drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për sektorin e Transportit Sue Barrett, theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje granti mbështet modernizimin e infrastrukturës hekurudhore të Kosovës.

“Si rezultat i këtij projekti, ne kemi thelluar bashkëpunimin tonë në Ballkanin Perëndimor me BE-në, Banka Evropiane e Investimeve dhe donatorët bilateralë të cilët janë duke e bashkëfinancuar projektin. Banka është fuqimisht e përkushtuar të investojë në infrastrukturën e transportit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, për të promovuar lidhjen rajonale dhe evropiane, që është e rëndësishme për vende pune dhe zhvillim të qëndrueshëm të rajonit”, tha Barrett.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat