Sërish viktima nga moti i keq në Europë - Bota Sot
Sërish viktima nga moti i keq në Europë

Evropë

Sërish viktima nga moti i keq në Europë

Më: 10 janar 2019 Në ora: 10:16
Gjashtë nxënës shpëtuan mrekullisht në incidente të veçuara për shkak të orteqeve.

Të paktën tre persona humbën jetën dje në alpet austriake dhe në malet sllovake, ndërkohë që gjashtë nxënës shpëtuan mrekullisht në incidente të veçuara për shkak të orteqeve.

Një adoleshent gjermano-australian, i cili ndodhej për pushime në Austri, vdiq i mbuluar nga një ortek, ndërkohë që prindërit e tij dhe vëllai e shihnin skenën pa mundur ta ndihmonin, sipas njoftimeve.

”Familja kërkoi ndihmë pasi u përfshi në këtë incident vdekjeprurës”, tha një zëdhënës i policisë së Tirolit.

”Adoleshenti 16-vjeçar vdiq nga orteku. Familja e tij nuk e ndihmoi dot pasi nuk kishte me vete mjetet për situata emergjente apo të paktën një lopatë”, shtoi ai.

”Pranë qytetit austriak të Mariazellit, një mësues 62-vjeçar humbi jetën si pasojë e bllokimit nga dëbora”, njoftoi policia.

”Nxënësit e tij nuk kishin mundësi ta ndihmonin pa rrezikuar të njëjtin fat me mësuesin e tyre”, shtoi ajo.

Ndërkohë, një skiator 40-vjeçar u mbulua nga orteku në veri të Sllovakisë, sipas shërbimit sllovak të shpëtimit, HZS.

Në resortin austriak të Wildkogelit, gjashtë adoleshentë gjermanë arritën të mbijetonin, në incidente të veçuara, pasi ishin mbuluar nga sasi të mëdha dëbore.

Në të dy anët e kufirit gjermano-austriak, shkollat janë mbyllur, trafiku është në paralizë të plotë, ndërkohë që banorët po ankohen për shembje të mundshme të çative të shtëpive për shkak të peshës së krijuar nga sasia e madhe e dëborës së rënë.

Shërbimi Meteorologjik Gjerman, DWD, parashikon dëborë pa ndërprerje deri javën e ardhshme, sidomos në rajonet malore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...