May kthehet në Britani, “e treta e vërteta” për marrëveshjen e Brexit - Bota Sot
May kthehet në Britani, “e treta e vërteta” për marrëveshjen e Brexit

Evropë

May kthehet në Britani, “e treta e vërteta” për marrëveshjen e Brexit

Më: 22 mars 2019 Në ora: 10:29
Theresa May

Me Bashkimin Evropian që pranoi të shtyjë Brexit-in përtej 29 marsit, kryeministrja britanike Theresa May sot kthehet në vendin e saj dhe do të përpiqet të bindë ligjvënësit të mbështesin marrëveshjen e shkëputjes të negociuar prej saj.

Mbrëmjen e vonë të së enjtes, pas gati 8 orë bisedimesh, udhëheqësit e BE-së ranë dakord të shtynin Brexit-in deri më 22 maj, gjithnjë nëse ligjvënësit britanikë miratojnë paktin e Mayt gjatë javës së ardhshme.

Nëse ata nuk e miratojnë atë, atëherë shtyrja do të jetë në një afat më të shkurtër, deri më 12 prill, pikë në të cilën Britania e Madhe duhet të përcaktojë hapat e ardhshëm të saj, ose të largohet pa një marrëveshje nga blloku.

May tha se ligjvënësit britanikë kanë tashmë një “zgjedhje të qartë” për të bërë.

Duke folur të enjten, pasi priti që 27 krerët e vendeve të BE-së të merrnin vendim në samitin që po zhvillohej në Bruksel, kryeministrja tha se tashmë i duhet “të punojë fort për të siguruar mbështetje rreth marrëveshjes së saj”.

Ligjvënësit britanikë priten të votojnë për të tretën herë mbi marrëveshjen e shkëputjes gjatë javës së ardhshme, pavarësisht se kreu i Dhomës së Komunëve, John Bercow tha se në tryezë duhet të shtrohet diçka e ndryshme në thelb për t’u votuar, përcjell Top Channel.

Marrëveshja e natës së të enjtes nënkupton tashmë se, një Brexit pa marrëveshje më 29 mars nuk është më një mundësi, por Britania e Madhe ende mund të shkëputet pa një pakt, nëse ujdia e negociuar nga May nuk miratohet nga ligjvënësit deri më 12 prill.

May mbërriti në samitin e BE-së në Bruksel, gjatë së enjtes, me shpresën se do të bindte BE-në të shtynte Brexit-in nga e premtja e ardhshme, një datë e përcaktuar me ligj, deri më 30 qershor.

Rastin e prezantoi për rreth 90 minuta përpara homologëve të saj evropianë. Por, disa prej krerëve të BE-së e konsideruan Britaninë “një pacient të sëmurë” që “ka nevojë për “kujdes të veçantë”, duke parë pasigurinë që mbizotëron në Parlamentin britanik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...