Francë, rekord turistësh në 2018-n, pavarësisht protestave të “jelekverdhëve” - Bota Sot
Francë, rekord turistësh në 2018-n, pavarësisht protestave të “jelekverdhëve”

Evropë

Francë, rekord turistësh në 2018-n, pavarësisht protestave të “jelekverdhëve”

Më: 10 prill 2019 Në ora: 20:33
Foto

Turizmi në Francë ka shënuar një rekord këtë vit, pavarësisht trazirave që shkaktuan protestat e “jelekverdhëve”.

Numri i netëve që kanë kaluar të huajt në vend, duke përfshirë këtu akomodimin nëpër hotele, kampingje apo bujtina, u rrit në vitin 2018 me gati 9 milionë vetë krahasuar me vitin 2017.

Raportin e ka hartuar Instituti Kombëtar i Statistikave (INSEE), i cili nuk përfshin ndërkohë aty të dhënat nga platforma të tilla të ndarjes së banesave, siç është “Airbnb”.

Vizitorët më të shumtë në numër rezultojnë të jenë ata nga Italia, Spanja dhe Gjermania. Shifrat tregojnë qartë se, frika nga rrëmujat nuk ka pasur ndikim te njerëzit që kanë dashur ta vizitojnë vendin e famshëm për bukuritë e tij.

Por, atë që nuk e bënë “jelekverdhët” mund ta bëjë “Brexit”-i. Operatoret turistikë në Francë druhen se ky vit do të jetë më pak i frytshëm, pikërisht për shkak të planeve të Britanisë për largimin nga Bashkimi Europian, të cilat mendohet se do të ndikojnë te vizitat nga përtej La Manshit.

“‘Brexit’-i është pikëpyetja jonë e madhe”, thotë drejtori i hotelit me 4 yje “Splendid” në Cannes, një ndër më të preferuarit nga turistët britanikë, Gerard Pisano, i cili e pranon se hija që lëshon shkëputja kaotike e Britanisë ka nisur të ndihet që tani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat