Ukrainë, presidenti “debaton” me podiumin bosh të rivalit komedian - Bota Sot
Ukrainë, presidenti “debaton” me podiumin bosh të rivalit komedian

Evropë

Ukrainë, presidenti “debaton” me podiumin bosh të rivalit komedian

Më: 15 prill 2019 Në ora: 07:51
Presidenti në detyrë i Ukrainës, Petro Poroshenko

Presidenti në detyrë i Ukrainës, Petro Poroshenko mbërriti për të zhvilluar debatin e shumëpritur televiziv me njeriun që shpreson t’i marrë postin, përpara mijëra njerëzve të mbledhur në stadiumin kombëtar të Kievit, vetëm se ndeshi në një problem: rivali i tij Volodymyr Zelensky, një komedian pa eksperiencë politike, nuk u shfaq!

Dy garuesit për president ranë dakord që të zhvillonin debatin televiziv gjatë javës së kaluar, por nuk pati asnjë akord mes tyre mbi datën se kur do të bëhej diskutimi i ethshëm përpara ukrainasve.

Zelensky kërkonte që debati të zhvillohej të premten e ardhshme, vetëm dy ditë përpara se t’u drejtoheshin kutive të votimit në balotazh. Poroshenko, i cili e ndjek në sondazhe pasi fitoi vetëm 16% të votave në raundin e parë zgjedhor, duket se ka në duar tashmë mundësinë që të sigurojë më shumë mbështetje falë dështimit të Zelenskyt për t’u paraqitur në “Olympiyskiy Stadium” për përballjen televizive.

Ish-biznesmeni i çokollatave donte që debati të ekspozonte faktin që kundërshtari i tij nuk kishte artikuluar kurrë një vizion politik, apo që idetë e tij t’ia nënshtronte shqyrtimit të imtësishëm në kuadrin e politikës. Në vend të kësaj, kreu i shtetit në detyrë e shfrytëzoi qëndrimin e tij 45-minutësh në podium për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dhe për të sulmuar rivalin e tij në mungesë.

Poroshenko, kritikët e të cilit thonë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të luftuar çështje të tilla si korrupsioni në vendin e Europës Lindore, e cilësoi fushatën zgjedhore si një “film të heshtur”, duke akuzuar Zelenskyn si frikacak.

“Nëse ai zgjedh t’i fshihet popullit sërish, nëse ka frikë, do ta ftojmë sërish. Do ta ftojmë çdo ditë, në çdo emision të drejtpërdrejtë, për t’i treguar të gjithë vendit se cilin rrezikojnë të zgjedhin për 5 vitet e ardhshme në krye të shtetit”, tha ai përpara turmës së pranishme, por edhe kamerave të televizivioneve të shumta.

Zelensky në fakt ka injoruar deri më tani rregullat e zakonshme të fushatës, duke mos mbajtur mitingje dhe duke dhënë rrallëherë intervista, duke preferuar në vend të tyre komunikimin përmes rrjeteve sociale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...