Rritet numri i viktimave në protestat e Bolivisë

Evropë

Rritet numri i viktimave në protestat e Bolivisë

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 14:32
Foto ilustrim

Katër njerëz të tjerë janë vrarë në protestat e Bolivisë, duke e çuar në 23 numrin e përgjithshëm të viktimave nga përleshjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Lajmin e bëri të ditur Komisioni Ndër-amerikan për të Drejtat e Njeriut.

Përderisa ky komision tha se në dy ditët e fundit janë vrarë nëntë persona, shifra zyrtare e qeverisë për viktimat e përleshjeve ishte pesë.

Kabineti i presidentes së përkohshme, Jeanine Anez, tha të shtunën në mbrëmje se do të kërkohet punë më e shpejtë nga mjekët e forenzikës, por nuk e konfirmoi ndonjë shifër më të lartë të viktimave.

Përleshjet e dhunshme mes policisë dhe përkrahësve të ish-presidentit Morales shpërthyen të martën, kur Anez e shpalli veten presidente të përkohshme të Bolivisë.

Ish-nënkryetarja e kuvendit e mori pozitën e kryetares së shtetit për ta shmangur boshllëkun e pushtetit. Veprimi i saj është miratuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e këtij vendi, ndonëse në kuvend nuk kishte kuorum të mjaftueshëm kur ajo e shpalli veten presidente.

Protestat në Bolivi fillimisht nisën kur ish-presidenti Morales u akuzua për mashtrim në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar. Ai tashmë është larguar nga vendi dhe ka marrë azil politik në Meksikë, shkruan “France24”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat