Shkon në 5 numri i viktimave nga koronavirusi në Itali, aeroporti “rrethohet” nga ushtria - Bota Sot
Shkon në 5 numri i viktimave nga koronavirusi në Itali, aeroporti “rrethohet” nga ushtria

Evropë

Shkon në 5 numri i viktimave nga koronavirusi në Itali, aeroporti “rrethohet” nga ushtria

Më: 24 shkurt 2020 Në ora: 13:39
Itali

Rritet bilanci i viktimave të koronavirusit në Itali. Një person i pestë, një 88-vjeçar nga provinca e Lodigianos ka humbur jetën të hënën, pasi më herët, një i moshuar nga Bergamo u bë viktima e katërt.

Lombardia është rajoni me numrin më të madh të rasteve, deri më tani 167. Milano, falë edhe mbylljes së shkollave, është e zbrazur; metroja dhe trenat janë bosh. Ndërkohë, në Vo, në Veneto, kanë nisur kontrollet nëpër rrugë. Brenda dhe jashtë  aeroporteve, kontrollet janë të shumta, ndërkohë që në aeroportin e Fierences është e pranishme edhe ushtria.

Në Veneto, 25 raste të tjera i janë shtuar bilancit të të prekurve një ditë më parë, duke e çuar atë në 27. Ndërkohë që shtatë raste të reja janë identifikuar në Emiglia Romana duke e çuar numrin total në 16. Nisur nga zhvillimet në Itali, një mision i përbashkët i BE dhe OBSH do të mbërrijë në vend ndërkohë që komisioni evropian ka akorduar 230 milionë euro për të ndihmuar luftën globale kundër përhapjes së koronavirusit.  Zyrtarët ndërkohë kanë thënë se numri po rritet shpejt sepse po bëhet një kontroll i imtësishëm në vatrat e shpërthimit. Janë mbi 3 mijë analiza të bëra deri më tani ndërkohë që janë gati rreth tre mijë e pesëqind shtretër në struktura ushtarake, në rast se situata do të rëndohet. Autoritetet ndërkohë kanë këshilluar. Shumë qytetarë i janë drejtuar supermarketeve për të blerë ushqime në rast emergjence duke i lënë raftet atje, thuajse të zbrazura.

Italia, bëhet kështu vendi i tretë në botë për sa i takon numrit të rasteve të koronavirusit, pas kinës dhe Koresë së Jugut dhe para Iranit. Përhapja e tij, po rrit frikën e një pandemie globale. Pandemia shpallet kur një sëmundje infektive kërcënon pjesë të ndryshme të botës në të njëjtën kohë dhe për ekspertët, situata e kombinuar në Korenë e Jugut, Iran dhe Itali, flet për fazat e para të pandemisë. Rreth 77 mijë njerëz në kinë janë infektuar dhe 2600 kanë humbur jetën. Ndërsa sipas OBSH, më shumë se 1200 raste janë konfirmuar në 26 vende të tjera të botës dhe tetë kanë qenë viktimat. Të hënën, Afganistani, Kuvajti dhe Bahreini raportuan rastet e para të tyre, të gjithë njerëz të kthyer nga Irani. Në Korenë e Jugut, numri i të prekurve ka shkuar në më shumë se 760 ndërsa shtatë janë viktimat. Ndërsa irani ka konfirmuar 43 raste, 12 prej të cilëve kanë humbur jetën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat