Rreth 1000 të moshuar vdiqën nga Covid-19, dramë në azilet e moshës së tretë

Evropë

Rreth 1000 të moshuar vdiqën nga Covid-19, dramë në azilet e moshës së tretë

Më: 10 prill 2020 Në ora: 16:01
Britani

Qindra banorë të shtëpive për të moshuarit në Britani po ndërrojnë jetë me ose pa simptoma të koronavirusit, por pa u futur ende në statistikat zyrtare. Mendohet se ky bilanci i viktimave në këto institucione po shkon në 1 mijë brenda pak javëve.

Mijëra azile në Britaninë e Madhe janë futur në karantinë për të ndalur përhapjen e pandemisë te banorët e tyre të moshuar.

Muajin e kaluar, sëmundjes infektive nuk i shpëtoi dot 87-vjeçari, Xhamshed Ali, që së bashku me gjashtë bashkëjetues të tjerë ndërruan jetë në një prej këtyre institucioneve në lindje të Londrës.

"Ndërroi jetë në datën 24, në orën 6 të mëngjesit, pa askënd pranë, nuk arritëm t'i themi as lamtumirë, as t'i përkëdhelnim flokët, duart. Të vdesin 7 njerëz nga Covid-i është e frikshme," tregon e bija e tij.

Britania numëron rreth 11 mijë banesa për të moshuarit me më shumë se 450 mijë shtretër, gati trefishi i numrit që kanë spitalet e vendit.

Ekspertët druhen se po shumëfishohet bilanci tragjik i sëmundjes në këto institucione, ndaj disa nga familjarët po i paraprijnë situatës duke i rimarrë përkohësisht në shtëpi prindërit dhe të afërmit.

"Kur takova nënën javën e kaluar kishte dy javë që rrinte mbyllur në dhomë dhe dukej nga e ecura, nga e folura, nga qartësia mendore sa shumë e kishte prekur vetmia nga izolimi" tregon vajza tjetër.

E ëma e saj vuante nga sëmundjet e moshës, por edhe ata që nuk janë infektuar me Covid-19 raportohet se nuk po marrin kujdesin e duhur, pasi vetë stafi i azilit është detyruar të izolohet nga frika se mund t'u përhapin atyre infeksionin.

Familjarët po bëjnë thirrje që të kryhen testimet e duhura që ata të mund të rikthehen në punë.

"Njerëzit në këto shtëpi janë më të pambrojturit e shoqërisë, janë të dobët, të varur nga të tjerët dhe në këtë krizë që po hasim po tregohet se janë edhe më të parëndësishmit."

Të enjten, kryediplomati britanik njëherësh kryesuesi provizor i qeverisë, Dominik Rab, udhëhoqi duartrokitjet në mbarë vendin për bluzat e bardha që janë në vijën e parë të betejës me koronavirusin, i cili ka prekur mbi 65 mijë dhe u ka marrë jetë 8 mijë britanikëve.

Mendohet se 1 mijë vdekje janë shënuar vetëm në banesat për të moshuarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat