Mbështetje nga shteti për Air France dhe Austrian Airlines

Evropë

Mbështetje nga shteti për Air France dhe Austrian Airlines

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 14:33
Foto ilustrim

Prej pandemisë Corona qarkullimi ajror është paralizuar. Qindra mijëra vende pune janë në rrezik. Shteti në Francë dhe Austri mbështet kompanitë kombëtare ajrore Air France dhe Austrian Airlines.

Franca ka shpallur "gjendjen e emergjencës për të shpëtuar industrinë e qarkullimit ajror", kështu u shpreh ministri i Ekonomisë, Bruno Le Maire duke paraqitur planin në Paris. Pa ndihma rreth një e treta e 300.000 vendeve të punës mund të humbasë në industrinë franceze të qarkullimit ajror si dhe në degët e furnizimit të saj. Kjo mund të ishte e ngjashme me një "dramë shoqërore", theksoi ministri. Pritet që qarkullimi ajror të arrijë pas dy ose tre vjetësh nivelin që kishte në dhejtor 2019. Njëkohësisht kjo degë, e cila ka pasur së fundi një xhiro vjetore prej 58 miliardë eurosh të bëhet "më ekologjike dhe më e aftë për konkurrencë". Plani i shpëtimit parashikon investime shtetërore në vlerën 1,5 miliardë euro për hulumtimet për prodhimin e avionit "neutral në emetimin e CO2", i cili të jetë i gatshëm për funksionim duke nisur nga vitit 2035.

Air France në fokus

Zëri kryesor në paketën financiare të shpëtimit me një volum prej 15 miliardë eurosh i kushtohet shoqërisë kombëtare ajrore Air France me shtatë miliardë euro. Këto ndihma përbëhen nga një kredi shtetërore prej tre miliardë eurosh dhe një kredi garancie me katër miliardë eurot e tjera.

Krahas kësaj paketa përmban një sërë zërash të tjerë ndihme. Qeveria dhe sipërmarrjet më të mëdha të qarkullimit ajror duan të krijojnë një fond investimesh me vlerën 500 milionë euro, që në afat të mesëm të gjenerojë një miliardë euro. Fondi duhet të nxisë ndër të tjera automatizimin e prodhimit, ku Franca sipas ministrit francez të Ekonomisë, është prapa Gjermanisë. Europa duhet ta ruajë pozicionin e saj në tregun botëror që ka siguruar me prodhimin e Airbus-it kundrejt konkurrencës me koncernin e SHBA-së, Boing, apo prodhuesin kinez në ekspansion Comac, theksoi Le Maire.

Image

Shtyhet afati i shlyerjeve të kredive shtetërore

Për të mbështetur Airbus-in, shteti francez i ka dhënë prioritet porosive për prodhimin e avionëve cisternë dhe të tjera pajisjeve ushtarake. Bashkë me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe Franca gjithashtu ka vendosur një shtyrje me një vit të afateve për shlyerjen e kredive shtetërore të dhëna për avionët. Kjo masë lehtësuese ka një volum financiar prej 1,5 miliardë eurosh. Në këmbim për këtë qeveria kërkon që kjo degë e industrisë të garantojë vendet e punës si dhe investimet në mbrojtjen e klimës, për të ulur kuotën e emetimit të gazrave të dëmshme për mjedisin.

Edhe në vende të tjera janë marrë masa për të mbështetur financiarisht kompanitë kombëtare ajrore. Të hënën (08.06) Austria dhe Lufthansa e Gjermanisë ranë dakord për një paketë financiare shpëtimi prej njëqind milionë eurosh për filialin austriak të Lufthansa-s, Austrian Airlines. Sikurse njoftoi kancelari austriak Sebastian Kurz në Vjenë, shteti po e mbështet shoqërinë ajrore me 450 milionë euro. Krahas kredive bankare prej 300 milionë eurosh, të garantuara 90% nga shteti, shoqëria ajrore do të marrë edhe një suplement prej 150 milionë eurosh duke e rritur kësisoj paketën e shpëtimit në vlerën 600 milionë euro. Ky inxheksion financiar duhet të miratohet nga Komisioni i BE-së./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat