5 % e pacientëve me Covid-19 shfaqin simptoma për disa muaj

Evropë

5 % e pacientëve me Covid-19 shfaqin simptoma për disa muaj

Më: 4 shtator 2020 Në ora: 21:22
Foto ilustrim

Shumica e personave të infektuar me koronavirus e kalojnë sëmundjen për një kohë të shkurtër ose pa simptoma, por një minorancë pacientësh i vuajnë pasojat për muaj të tërë. Marrje fryme, lodhje ekstreme, dhimbje koke dhe turbullime mendore janë disa nga pasojat e infeksionit për ata.

Mijëra njerëz në botë vijojnë të raportojnë një sërë simptomash të kovidit-19 disa muaj pas diagnostikimit fillestar.
Sëmundja i ka lënë me ankth të shtuar, me depresion dhe frikë më të madhe për jetën, përpos dobësive fizike.

49-vjeçarja Felisiti Kalard, profesoreshë britanike, është një prej këtyre personave.

Dikur e shëndetshme dhe aktive, ajo u konfirmua si bartëse e koronavirusit në datën 19 mars.

“Disa javë isha shumë e sëmurë, me dhimbje të pabesueshme saqë nuk ngrihesha dot nga shtrati apo të zbrisja shkallët. U bëra mirë dhe thashë se e kalova por pastaj gjithçka u përkeqësua edhe më shumë në muajin e dytë, me dhimbje të padurueshme barku, kyçesh dhe dhimbje koke. Tani, pesë muaj më pas, ndihem fizikisht dhe mendërisht e pafuqi.”

Akademikja britanike shprehet e merakosur për dëmet afatgjatë që Covidi mund t’i ketë shkaktuar në zemër, në mushkëri apo në tru, duke e mbajtur të izoluar në shtëpi.

Shkencëtarët britanikë tregojnë se 10 për qind e pacientëve me kovidin-19 shfaqin simptoma të rënda për shëndetin pas tre javësh, dhe 5 për qind e pacientëve, për disa muaj.

Psikologia Til Uajks e Institutit Londinez të Psikiatrisë, Psikologjisë dhe Neuroshkencë, mendon se pasiguria është veçoria kryesore që shton ankthin te personat e sëmurë.

“Duhet të dini se problemet e shëndetit mendor ndonjëherë kontribuojnë më shumë sesa problemet fizike në progresin e sëmundjes, ose mes tyre ka një ndërlidhje. Disa persona raportojnë marrje fryme, të tjerë vështirësi me zemrën apo depresion, e këto ndoshta sepse nuk i kanë menaxhuar dot simptomat, edhe sepse nuk kanë pasur përkrahjen e duhur sociale.”

Në gjithë botën numri i viktimave nga infeksioni i kovidit-19 ka kaluar shifrën 860 mijë ndërsa 26 milionë ka shkuar numri i personave të infektuar anembanë globit.

Më shumë se gjysma e rasteve raportohen vetëm në tri vende, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Brazil dhe Indi, teksa Spanja mbetet shteti më i prekur në Europë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat