Disa të arrestuar lidhur me vrasjen e mësuesit në Francë

Evropë

Disa të arrestuar lidhur me vrasjen e mësuesit në Francë

Më: 17 tetor 2020 Në ora: 15:57
Njerëzit janë mbledhur pranë shkollës ku ndodhi sulmi. 17 tetor, 2020.

Policia në Francë ka arrestuar nëntë persona dhe po i merr në pyetje, pasi një person ia preu kokën një mësuesi në periferi të Parisit, thanë burimet nga policia.

Policia e identifikoi viktimën si Samuel Paty, 47-vjeçar, mësues të hostorisë dhe gjeografisë. Së fundmi, ai i kishte shfaqur karikatura të Profetit Muhamed para nxënësve të tij, si pjesë e një diskutimi për lirinë e shprehjes, gjë që kishte nxitur reagimin e prindërve.

I dyshuari për vrasjen e Paty, sipas mediave franceze, është një 18-vjeçar i lindur në Moskë, me origjinë nga rajoni i Çeçenisë.

Burimet nga policia thanë se në mesin e nëntë të dyshuarve janë edhe gjyshërit dhe vëllai 17-vjeçar i sulmuesit.

Sulmuesi u qëllua me armë zjarri nga policia, teksa autoritetet e rendit po tentonin që ta arrestonin. Më pas ai vdiq nga plagët e marra.

Nuk ka pasur indikacione paraprake se sulmuesi ka qenë i radikalizuar, tha një burim për agjencinë AFP, i cili është në dijeni me hetimet që po zhvillojnë autoritetet franceze.

Çeçenia është një rajon në Kaukazin Verior të Rusisë, ku janë zhvilluar dy luftëra separatiste dhe kryengritje islamike që prej viteve 1990.

Sulmin që ndodhi në periferi të Parisit, të premten, presidenti i Francës, Emmanuel Macron e quajti “sulm terrorist islamik”.

Duke qëndruar para shkollës së mesme, ku viktima u sulmua, Macron tha se “një qytetar u vra sot sepse ishte mësues dhe sepse ai mësonte lirinë e shprehjes”.

Prokurorët anti-terror kanë nisur hetimet për vrasjen, duke thënë se dyshojnë se kjo ngjarje ka motive terroriste, tha Zyra e Prokurorit.

Sulmuesi i dyshuar raportohet se është parë duke mbajtur një thikë, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi. Kur policia është konfrontuar me të ai thuhet se ka bërtitur “Allahu Akbar”, që do të thotë “Zoti është i madh”, shprehje të cilën shpesh e kanë përdorur edhe xhihadistët gjatë sulmeve, ka raportuar AFP, duke u thirrur në një burim brenda policisë.

Sulmi ndodhi në Conflans Saint-Honorine rreth orës 17:00 sipas kohës lokale më 16 tetor, në afërsi të shkollës së mesme ku viktima jepte mësim.

Në disa postime në Twitter më 9 tetor, thuhej se një mësues i historisë në Conflans Sainte-Honorine kishte shfaqur para studentëve të tij karikatura të Profetit Muhamed.

Zyrtarët thanë se viktima kishte pasur kërcënime me vdekje pasi ka shfaqur këto karikatura.

Liderët myslimanë e kanë dënuar vrasjen, që shumë prej figurave publike thanë se është një sulm mbi thelbin e shtetit francez dhe vlerave të sekularizmit, lirisë, lirisë së besimit dhe lirisë së shprehjes.

Në Parlamentin e Francës, deputetët nderuan mësuesin e vrarë dhe dënuan "sulmin e tmerrshëm".

Franca është përballur me një seri të sulmeve të dhunshme të kryera nga militantët islamik gjatë viteve të fundit.

Ky shtet ka popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore, me rreth 5 milionë banorë. Shumica nga ta janë çeçenë të cilët kanë fituar azil pasi Moska zhvilloi luftë me separatistët islamikë në Çeçeni në vitet 1990.

Presidenti Macron së fundmi po bën presion që të miratohet një ligj i ri për të frenuar, atë që disa po e quajnë si “separatizëm” të brendshëm, përfshirë edhe radikalët islamikë të cilët po mundohen të shpërndajnë ideologjinë e tyre te njerëzit përmes predikimeve në shkolla apo në shtëpi.

Muajin e kaluar, një person që kishte emigruar në Francë nga Pakistani, plagosi dy persona, jashtë zyrës së revistës satirike, Charlie Hebdo.

Stafi i Charlie Hebdo kanë qenë cak i sulmit të militantëve islamikë pesë vjet më parë, pasi kjo revistë kishte publikuar disa karikatura që sipas sulmuesve u cilësuan si blasfemike. Gjatë sulmit në Charlie Hebdo u vranë 12 persona, përfshirë edhe një zyrtar policor, i cili doli në vendin e ngjarjes dhe u plagosën edhe 11 persona të tjerë.

Katër ditë pas sulmit, dy milionë qytetarë të Francës dolën në rrugë për të treguar unitet.

Dhjetë muaj më vonë, në nëntor të vitit 2015, sulme të koordinuara me bomba dhe me armë nga militantët islamikë, targetuan vendet kulturore në Paris dhe në periferi të kryeqytetit francez, duke lënë të vdekur 130 persona dhe duke plagosur mbi 400 të tjerë. Këto ishin sulmet më vdekjeprurëse në Francë që prej Luftës së Dytë Botërore./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat