Disa të arrestuar në protestat kundër ashpërsimit të abortit në Poloni

Evropë

Disa të arrestuar në protestat kundër ashpërsimit të abortit në Poloni

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 14:38
Pamje nga protestat në Varshavë

Policia në Varshavë arrestoi 15 persona në protestat që shpërthyen të enjten mbrëma, pas një vendimi të gjykatës për ashpërsimin e rregullave kundër abortit.

Qindra demonstrues u mblodhën para zyrave të Partisë në pushtet për Ligj dhe Drejtësi, ndërsa policia përdori gazin lotsjellës për t'i shpërndarë.

Tribunali Kushtetues i Polonisë konstatoi se abortet në rastet e defekteve fetale janë anti-kushtetuese.

Ligjet e abortit në Poloni janë ndër më të rreptat në Evropë, por vendimi i fundit do të thotë ndalim pothuajse total i abortit.

Me hyrjen e këtij vendimi në fuqi, abortet do të lejohen vetëm në rastet e përdhunimit ose incestit, ose nëse shëndeti i nënës është në rrezik.

Sfida ligjore kundër masës së vitit 1993, që lejonte abortin edhe në rastet e defekteve fetale, është iniciuar vitin e kaluar nga deputetët e Partisë për Ligj dhe Drejtësi.

Shumica e gjyqtarëve të gjykatës janë emëruar nga e njëjta parti.

Grupet e të drejtave të njeriut i kërkuan Qeverisë polake që të mos i rrisë kufizimet.

“Heqja e bazës për pothuajse të gjitha abortet ligjore në Poloni shkel të drejtat e njeriut”, tha komisionarja për të drejta të njeriut e Këshillit të Evropës, Dunja Mijatoviq.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat