Gjermania arreston tre persona për vjedhjen njëmiliardëshe në një muze

Evropë

Gjermania arreston tre persona për vjedhjen njëmiliardëshe në një muze

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 09:27
Foto ilustrim

Policia gjermane bastisti disa apartamente në pjesë të ndryshme të Berlinit në oret e hershme të së martës dhe i arrestoi tre persona të dyshuar për përfshirje në vjedhjen e stolive me vlerë të madhe në një muze ku ndodhet një ndër koleksionet më të mëdha të stolive, bënë të ditur zyrtarët.

Hajnat kishin hyrë në Muzeun “Green Vault” në Dresden në nëntor të vitit të kaluar dhe kishin arritur të merrnin së paku tri sete të stolive të shekullit XVIII, përfshirë diamante, shkruan Reuters.

Policia i bastisi 18 apartamente, garazha dhe vetura për gjetjen e stolive të vjedhura. Bastisjet u kryen kryesisht në distriktin jugor të kryeqytetit gjerman, Neukoelln, tha policia. Në operacion morën pjesë gjithsej 1.638 zyrtarë policorë. Për shkak të operacionit, gjatë ditës mund të ketë pengesa në qarkullimin rrugor.

Tre personat e arrestuar do të dalin më vonë gjatë ditës para një gjykatësi dhe i përkasin kombësisë gjermane. Sipas policisë, ata janë arrestuar në pjesë të ndryshme të vendit, pa dhënë detaje tjera, shkruan Reuters.

Sipas pamjeve të siguruara nga kamerat, në muze ishin futur dy persona përmes dritares në orët e hershme të 25 nëntorit të vitit të kaluar. Policia kishte shkuar në vendin e ngjarjes vetëm pesë minuta pas aktivizimit të alarmit, por hajnat kishin arritur të iknin.

Vlera e stolive të vjedhura është vlerësuar rreth një miliard euro, sipas raportimit të gazetës “Bild”. Koleksioni i vjedhur i stolive dikur i përkiste Augustit II, që kishte shërbyer si mbret i Polonisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat