​Media franceze: Karabakh mësim i hidhur për një Rusi të dobët

Evropë

​Media franceze: Karabakh mësim i hidhur për një Rusi të dobët

Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 22:19
Foto Ilustrim

Media ruse kanë analizuar shkrimin e portali analitik francez “Orient XXl”, mbi zhvillimet e fundit në Kaukaz, vie në përfundim se, “Karabakh është një mësim i hidhur për një Rusi të dobësuar, e cila ka qenë prej kohësh fuqia mbizotëruese në Kaukaz dhe mbrojtëse e Armenisë”.

Në fillim analizohet marrëveshja e 9 nëntorit, marrëveshje e cila ndali luftimet në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit. Kjo marrëveshje pos që do t’ia kthejë Azerbajxhanit shtatë provincat që ishin nën kontrollin armen, që nga lufta e vitit 1994, do të lidhë enklavën azere të Nakhichevanit me territorin e Azerbajxhanit. Kjo lidhje e enklavës azere ka rëndësi strategjike për Turqinë, pasi që përmes Nakhichevanit, që gjendet në kufi me Turqinë dhe korridorit që do ta lidhë me Azerbajxhanin, Turqia do të krijojë qasje të drejtpërdrejtë në rajonin e Kaukazit, të pasur me naftë dhe gaz dhe ku jetojnë popuj që kanë ngjashmëri etnike dhe gjuhësore me Turqinë.

Roli i Rusisë gjatë konfliktit të fundit dhe kushtet e marrëveshjes për ndaljen e luftimeve në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit, tregojnë më së miri forcën reale të Rusisë, e cila më nuk ka forcë për të vendosur e pavarur fatin e shteteve aleate, siç është në këtë rast Armenia.

Nëse analizohet më gjerësisht situata në Kaukaz, situata në të cilën gjendet për momentin Rusia është kritike, pasi që për më shumë se një shekull e gjysmë asnjë fuqi e huaj nuk ka mundur ta sfidojë Rusinë në Kaukaz, sikur është sfiduar tani.

Me ndryshimet e fundit në rajonin e Kaukazit dhe krijimin e një korridori që do ta lidhë Turqinë me Azerbajxhanin e pasur me gaz, pritet të dobësohet monopoli i Rusisë në furnizimin e Evropës me gaz.

Tanimë vetëm se ka përfunduar ndërtimi i gazsjellësit “TAP”, i cili sjell gazin nga Azerbajxhani, përmes Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë e dërgon në shtetet e Evropës Perëndimore. Kjo pritet të ndikojë në zvogëlimin e interesit për përfundimin e ndërtimit të gazsjellësit kontestues rus, “North Stream 2”, gazsjellës i cili kishte filluar të ndërtohet me qëllim që të rrisë varësinë e Evropës ndaj gazit rus. Për këtë qëllim kundër ndërtimit të “North Stream 2”, tanimë kanë dalë hapur SHBA, Polonia, Letonia, Lituania dhe Ukraina, ndërsa edhe në Gjermani çdo ditë e më shumë ka zëra kundër këtij gazsjellësi, posaçërisht pas helmimit të opozitarit rus, Alexei Navalni.

Interesat ruso-turke nuk janë duke u përplasur vetëm në rajonin e Kaukazit, ato janë duke u përplasur edhe në Siri dhe Libi.

Në Siri, Rusia mbështet diktatorin Asad, ndërsa Turqia grupet kryengritëse që luftojnë kundër diktatorin Asad.

Në Libi, Rusia mbështet rebelët e gjeneralit Haftar i cili lufton kundër trupave qeveritare libiane, të mbështetura nga Turqia.

Se ka përplasje në raportet Turqi-Rusi, e kishte pranuar edhe ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili në një intervistë për mediat ruse kishte thënë se “Turqinë nuk e kemi konsideruar kurrë aleate strategjike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat