Pas ShBA-së, Franca përplaset edhe me Britaninë, kësaj radhe për peshkatarë

Evropë

Pas ShBA-së, Franca përplaset edhe me Britaninë, kësaj radhe për peshkatarë

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 09:17
Johnson dhe Macron

Ministri francez për Çështje Evropiane, Clement Beaune, tha të martën se bisedimet mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe rreth një marrëveshjeje tregtare për periudhën pas Brexit-it janë të ndërlikuara dhe se Franca do ta kundërshtojë secilin pak që i sakrifikon peshkatarët e saj.

“Për sektorin e peshkimit, nuk ka arsye për t’u dorëzuar para presionit të Britanisë. Ne mund të bëjmë ca përpjekje, por t’i sakrifikojmë peshkatarinë dhe peshkatarët – jo”, tha ky ministër për Radion RMC, duke ritheksuar se Franca do ta përdorë veton për secilën marrëveshje që e cilëson si të keqe.

Që nga koha kur Britania e Madhe u largua nga Bashkimi Evropian në janar, secila palë e ka nxitur tjetër që të bëjë koncesione për ta zhbllokuar arritjen e marrëveshjes para përfundimit të fazës kalimtare të Britanisë për largimin nga blloku, që mbaron më 31 dhjetor.

Një burim i lartë i qeverisë britanike tha të hënën se ekzistojnë të gjitha gjasat që të mos arrihet marrëveshja. Në anën tjetër, zyrtarët e BE-së kanë thënë se bisedimet kanë shkuar prapa, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

I pyetur se a ka ende gjasa që të arrihet marrëveshje, ministri francez tha: “Nuk dua të njoh një dështim (të bisedimeve). Mendoj se ende kemi edhe disa ditë për të biseduar.”

Disa ditë më parë, Franca i ka tensionuar marrëdhëniet tregtare edhe me Shtetet e Bashkuara, duke kërcënuar se do të kërkojë sanksione në nivel të Bashkimit Evropian, nëse ShBA-ja e fillon zbatimin e taksave ndaj mallrave franceze, të cilat i ka ndërmarrë si hakmarrje për taksën e shërbimeve teknologjike që Franca e ka vendosur për gjigantët amerikanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat