Pfizer vonon vaksinat/ Italia, gati të ndërmarrë veprime ligjore

Evropë

Pfizer vonon vaksinat/ Italia, gati të ndërmarrë veprime ligjore

Më: 20 janar 2021 Në ora: 11:28
Foto ilustrim

Italia është e gatshme të ndërmarrë veprime ligjore kundër Pfizerit gjatë ditëve të ardhme për shkak të ngadalësimit që kompania amerikane i ka bërë dorëzimit të vaksinave.

Njoftimin e bëri i dërguari i posaçëm për emergjencat, Domenico Arcuri. “Kemi pasur solidaritet unanim nga të gjithë krerët e rajoneve dhe provincave autonome të vendit tonë gjatë takimit me ministrat Roberto Speranza dhe Francesco Boccia. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve italianë nuk është një çështje e diskutueshme. Fushata e vaksinimit nuk mund të ngadalësohet, aq më pak për administrimin e dozave të dyta për shumë italianë të cilëve tashmë u është dhënë e para ”, thotë Arcuri.

“Për fat të keq”, shtoi ai, “bisedimet me Pfizerin nuk patën rezultatin që shpresonim, e madje ka njoftuar reduktim të mëtejshëm të dërgesave. Si pasojë u diskutua se çfarë veprimesh të ndërmerren për të mbrojtur qytetarët italianë dhe shëndetin e tyre, duke përfshirë dhe veprimet ligjore”, shtoi ai. Vonesat në shpërndarjen e vaksinës nga kompania Pfizer, po shkaktojnë shqetësim në pjesë të ndryshme të Europës. Një sërë vendesh europiane janë shprehur të zemëruara pas njoftimit se dërgesat do të zvogëlohen përkohësisht duke qenë se kompania po punon për një linjë të re prodhimi. Për rrjedhojë, Pfizeri ka zvogëluar në këto momente punën në fabrikën e tij në Belgjikë.

Përballë kritikave, Europa u vu në lëvizje për t`i kushtuar vëmendjen e duhur dhe Ballkanit, sic e pohoi një ditë më parë komisioneri Oliver Varhelyi, i cili deklaroi se “Komisioni Evropian do të ngrejë një mekanizëm për të strukturuar sigurimin e vaksinave të ndara nga shtetet anëtare, me vëmendje të veçantë tek Ballkani Perëndimor dhe fqinjët. Ai shtoi se do të shqyrtohen mundësi të mëtejshme për të siguruar vaksinat sa më herët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat