OECD: Të shmangen masat shtrënguese ekonomike pas pandemisë COVID-19

Evropë

OECD: Të shmangen masat shtrënguese ekonomike pas pandemisë COVID-19

Më: 24 janar 2021 Në ora: 12:50
Foto Ilustrim

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka deklaruar se qeveritë duhet të shmangin rikthimin e masave shtrënguese, nëse duan të parandalojnë një rikthim të tensioneve politike, të ngjashme me ato pas krizës botërore financiare.

Ulrik Vestergaard Knudsen, zëvendëssekretar i përgjithshëm i OECD-së, si dhe kandidat kryesor për ta drejtuar, tha se është e rëndësishme të rikujtohen leksionet e krizave të kaluara, që treguan se përfundimi i shpejtë i ndihmave shtetërore nxiti pabarazi në të ardhura, ndasi sociale dhe një frymë populliste kundër globalizimit.

“Masat shtrënguese nuk duhet të jenë përgjigja e sotme, për shkak të eksperiencave të këqija dhe për shkak se sot jemi më një mjedis me norma të interesit pranë zeros”, tha Knudsen.

Komentet e tij vënë në dukje debatin mbi rolin e politikave fiskale në rimëkëmbjen botërore ndaj pandemisë.

Ndjesia në Evropë duket se ka ndryshuar nga një dekadë më parë, kur kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për shkurtime në buxhet dhe i bëri presion qeverive evropiane që të ulin borxhin dhe ruajnë integritetin në Eurozonë.

Pasi u miratua paketa prej 750 miliardë euro për të luftuar pandeminë, BE propozoi javën e kaluar zgjatjen e afatit për kompanitë që të marrin miliarda euro ndihma të lidhura me COVID-19, deri në fund të këtij viti.Kjo vjen pavarësisht niveleve gjigante të borxhit publik.

Masat shtrënguese janë fajësuar për rritjen e populizmit në perëndim në vitet e fundit, me zgjedhjen e Donald Trump si presidenti SHBA që shihet si shembull kryesor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat