Skocia do të mbajë referendum për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar

Evropë

Skocia do të mbajë referendum për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar

Më: 25 janar 2021 Në ora: 17:57
Foto ilustrim

Kryeministri skocez, Nicola Sturgeon ka thënë se po planifikon të mbajë një referendum të ri mbi pavarësinë e Skocisë nëse fiton zgjedhjet e planifikuara për në muajin maj të 2021.

Në një deklaratë për BBC-in, kryeministrja e Skocisë tha se Partia Kombëtare Skoceze kishte përgatitur një dokument që përmban 11 hapa që duhet të ndërmerren përpara referendumit për pavarësi.

“Ne duam të bëjmë një referendum ligjor dhe për këtë unë do të kërkoj pëlqimin e popullit të Skocisë në maj. Nëse ata më japin leje, unë synoj të zbatoj vullnetin e popullit. Është demokraci. Nuk ka të bëjë me atë që unë dua ose çfarë dëshiron Boris Johnson, por për atë që ai dëshiron për njerëzit e këtij vendi”, tha Sturgeon.

Në të kundërtën, partitë e opozitës në Skoci besojnë se kryeministrja duhet t’i trajtojë çështjet shumë më të rëndësishme për momentin, të tilla, si lufta kundër coronavirusit dhe rimëkëmbja ekonomike.

Pjesa më e rëndësishme e dokumentit të paraqitur në publik nga Partia Kombëtare Skoceze ka të bëjë me miratimin e Britanisë së Madhe dhe Boris Johnsonin për të mbajtur një referendum për këtë çështje. Në nenin 8 të dokumentit thuhet se Skocia do të kërkojë përsëri miratimin e Boris Johnsonit për të aktivizuar një ligj që do të lejojë këtë vend të thërrasë një referendum.

Referendumi i parë për pavarësinë e Skocisë, i mbajtur në vitin 2014, tregoi se 55 për qind e qytetarëve dëshironin të qëndronin në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa 45 për qind e qytetarëve votuan për pavarësinë skoceze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat