Kroacia i vë afat Malit të Zi: Marrëveshje për Prevlakën deri në dhjetor

Evropë

Kroacia i vë afat Malit të Zi: Marrëveshje për Prevlakën deri në dhjetor

Nga: Bota sot Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 16:04
Flamujt e Kroacisë dhe të Malit të Zi

Kroacia ka shtuar presionin mbi Malin e Zi që të zgjidhë mosmarrëveshjen kufitare për gadishullin e Prevlakës dhe ujërat përreth, para se Podgorica të përmbyllë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporton Euronews, duke cituar dy burime diplomatike.

Sipas këtyre burimeve, Qeveria e kryeministrit Andrej Plenkoviq kërkon që Mali i Zi ta njohë kufirin tokësor ekzistues, të bazuar në konstatimet e Komisionit të Badinterit, dhe dëshiron një marrëveshje deri në dhjetor. Zagrebi deri tani ka refuzuar që çështja të zgjidhet përmes arbitrazhit ndërkombëtar.

Për shkak të kundërshtimit kroat, Mali i Zi arriti të mbyllë vetëm dy nga katër kapitujt negociues që synonte t'i mbyllte në konferencën e fundit ndërqeveritare. Sipas Euronews, Podgorica i ka adresuar tashmë pjesërisht ankesat e tjera të Zagrebit.

Mali i Zi ka ende tetë nga 33 kapitujt për t'u mbyllur. Qeveria në Podgoricë synon t'i përmbyllë negociatat deri në fund të vitit 2026. Për këtë duhen edhe një konferencë ndërqeveritare në fund të nëntorit dhe një takim përmbyllës në dhjetor. Objektivi i saj është anëtarësimi në BE deri në vitin 2028.

Mali i Zi, ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar, konsiderohet vendi më i avancuar i Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së. Ecuria e tij shihet si tregues i ritmit të zgjerimit për gjithë rajonin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat