E kam përcjellë me vëmendje situatën dhe skandalin e paraqitur në varrezat e Rrmajit në Shkodër, varreza të cilat, ditë më parë, u vizituan nga një grup i dyshimtë serbësh nga Serbia, veprimtaria e të cilëve ngre dyshime për shkelje ligjore dhe cenim të kujtesës historike shqiptare. Një veprim i tillë, në një mjedis me rëndësi të jashtëzakonshme historike, kulturore, shpirtërore dhe kombëtare, nuk mund të kalojë në heshtje, aq më tepër kur bëhet fjalë për përkujtimin e pjesëtarëve të ushtrisë së një shteti, forcat e të cilit, gjatë zhvillimeve të viteve 1912–1916, ndërmorën operacione kriminale e terroriste ushtarake në territoret shqiptare.
Njëri prej pjesëtarëve të këtij grupi të dyshimtë me mbiemrin Milinkoviq nga Serbia, identiteti i të cilit mbetet anonim, u prononcua duke theksuar, ndër të tjera: “Një shoqatë austriake për ruajtjen e traditës së Luftës së Parë Botërore kujdeset për këto varre. Pra, edhe armiqtë tanë të Luftës së Parë Botërore kujdesen për varret e tyre. Ata quhen ‘Kryqi i Zi’. Në anën e monumentit ndodhet një pllakë që shënon se kush ka qenë dikur i varrosur në këto varreza, përveç austriakëve. Siç mund ta shihni, këtu përmenden serbë, ka rusë, italianë dhe një italian, italian. Sidoqoftë, kjo është një nga gjurmët e rralla që kanë mbetur nga Lufta e Parë Botërore, të cilat dëshmojnë se ka pasur edhe serbë të varrosur, të cilët kanë përshkuar Shqipërinë, përkatësisht Bjeshkët e Nëmuna, kanë mbërritur në Shkodër dhe këtu, me sa duket, nuk kanë mundur të vazhdojnë më, janë rraskapitur dhe kanë ndërruar jetë. Shumë prej tyre, me gjasë, kanë qenë të varrosur në varrezat lokale, përfshirë edhe këto varreza katolike, njërën prej varrezave katolike këtu në Shkodër. Pra, ja. Nuk kemi shumë gjurmë, por e dimë se kemi qenë këtu. E pra, kjo është njëra prej atyre gjurmëve”, – tha në fund të fjalës së tij serbi anonim
Pra, ky prononcim, përtej karakterit të tij përkujtimor, përveç se ngre një shqetësim, ngre edhe një sërë pikëpyetjesh historike, juridike dhe institucionale, të cilat kërkojnë sqarime të qëndrueshme apo të argumentuara nëpërmjet dokumentacionit arkivor dhe shkencor.
Ndërkaq, me një prononcim tjetër më gjuhën e argumentit është paraqitur studiuesi i mirënjohur shqiptar, dr. Dom Nikë Ukgjini, i cili, ndër të tjera, thekson: “Është një moment skandaloz se me çfarë qellimi vinë ata, ideja e atyre ushtarëve që kanë vdekur, ata kanë vdekur dhe, normalisht, pse jo, t’i kujtojnë. Por ka mënyra se si përkujtohen, ka procedura, po themi, ligjore, shtetërore. Çdo gjë që bëhet në mënyrë ilegale, atëherë, gjithherë, ne kemi të drejtën të dyshojmë se këtu ka kriminalitet. Faktikisht, këtu ka shitje, blerje, manipulime. Dhe që janë të dëmshme edhe për ne si shoqëri shqiptare. Dihet se viktimat më të mëdha kanë qenë në anën e shqiptarëve, sepse i kanë mbrojtur trojet e tyre, i kanë mbrojtur pragun e shtëpisë. Ata gjithherë, me ato lloj ëndrrash, faktikisht, i kanë ushqyer edhe gjeneratat e reja. Shtrohet pyetja se kush është, cila është Golgota. Ata që e mbrojnë shtëpinë, apo ata që sulmojnë?
Dhe këta vazhdimisht janë munduar ta deformojnë historinë dhe të paraqiten, para konferencave ndërkombëtare, se faktikisht këto janë qenë trojet e tyre. Dhe ky është ai gabimi, mëkati i madh që e bëjnë edhe sot. Kështu që këto veprime janë të dëmshme dhe duhet të merren nën kontroll, për arsye se atëherë po u lënë këto gjëra në shihe popullore, atëherë gjërat përkeqësohen edhe, edhe janë në dëmin e të dy anëve. Varre nuk ka këtu, patjetër nuk do ketë varre, sepse këto janë të 16-ës dhe varrezat armate kanë një histori paksa të, të ndryshme nga krahasimi me ata që mendojnë se këtu ishte gjithherë. Në qytetin e Shkodrës, kanë qenë edhe më parë varreza, ato kanë qenë tek, janë quajtur varrezat e Baldra, dhe pastaj ato që janë qenë varrezat ku është sot spitali, diku aty kanë qenë edhe varrezat e qytetit. Kështu që këtu nuk ka, por këtu mbase që është ngritur kjo, ky ambient, ose është ndërtuar kapela këtu, ka filluar të ndërtohet në vitin 1930, dhe në vitin 1936. Ndërkohë, atje dikush e ka ngritur shenjë respekti për austriakët, shenjë respekti për Austrinë, ushtrinë austro-hungareze, dhe atëherë i kanë veshur se këtu ka edhe rusë, edhe serbë, edhe të tjera, që për mua, si studiues, nuk është, nuk është një gjë, që duhet të jetë kështu. Kam kërkuar, në fakt, që këto varreza faktikisht të mbyllen njëherë e përgjithmonë. Të mbyllen dhe të konservohen, dhe të ruhen çdo gjë që është këtu, sepse këtu është pasuria më e madhe kombëtare. Këtu janë figurat më të mëdha kombëtare. Po unë këtu e shoh gjithherë dobësinë e shtetit shqiptar si të tillë. Në këtë rast mund të reagoj në radhë të parë Ministria e Kulturës, sepse është një monument kulture këtu, varrezat, zyrtarisht. Pastaj shkon niveli edhe më të lartë, te Ministria e Jashtme. Pra, duhet ambasada të reciprokët, pra e jona të reagojë, ose ministria jonë të reagojë. Kështu që po u la çdo gjë në heshtje, atëherë është në dëmin e dyanshëm dhe pranohet, pranohet ajo dështimi ynë, pranohet se këta paskan të drejtë. Atëherë një gjë që është e dëmshme edhe për, për shkencën dhe kulturën shqiptare, por edhe për të ardhmen e brezave të rinj”, – tha në fund të prononcimit të tij studiuesi dr. Dom Nikë Ukgjini.
Ndërkaq, nga këndvështrimi im, duke e parë këtë skandal të pamenaxhuar nga institucionet shqiptare, po paraqes disa të dhëna të nxjerra nga hulumtimi i rrethanave historike të kësaj çështjeje. Të dhënat në fjalë, me rëndësi të veçantë historike dhe dokumentare, i kam gjetur në veprën e Át Marjan Prelajt, O.F.M., Autobiografí, botuar nga Biblioteka Françeskane “Át Gjergj Fishta”, në kuadër të Kolanës së Shkrimtarëve Françeskanë, Albanisches Institut, Botime Françeskane, Shkodër, 2025.
Nëpërmjet edhe të kësaj vepre kemi mundësinë t’i ballafaqojmë zhvillimet e sotme me dëshmitë historike mbi rrethimin dhe pushtimin e Shkodrës nga Mali i Zi, bashkëpunimin ushtarak serbo-malazez dhe qëndresën e popullsisë shqiptare gjatë viteve 1912–1916.
Autobiografia e Atë Marjan Prelajt, O.F.M., e përfunduar në Tiranë më 4 tetor 1967, përbën një burim të rëndësishëm dokumentar e historiografik për ndriçimin e rrethanave politike, ushtarake, diplomatike, humanitare dhe kishtare gjatë rrethimit dhe pushtimit të Shkodrës nga Mbretëria e Malit të Zi. Autori, në cilësinë e meshtarit, misionarit dhe pjesëmarrësit të drejtpërdrejtë në disa prej zhvillimeve të kohës, sjell dëshmi me interes të veçantë për historinë kombëtare shqiptare dhe për kontributin e klerit katolik në mbrojtjen e interesave territoriale të Shqipërisë.
Duke përshkruar gjendjen politike dhe shoqërore të Zadrimës gjatë vitit 1912, Atë Marjan Prelaj dëshmon se rrethimi i Shkodrës nga ushtria malazeze kishte shkaktuar çrregullime administrative, pasiguri dhe dobësim të autoritetit osman, ndërkohë që popullsia vendëse ushqente aspiratën për çlirim kombëtar dhe shkëputje nga sundimi shumëshekullor osman (nr. 34).
Në trajtimin e drejtpërdrejtë të rrethimit të Shkodrës, autori përcakton periudhën nga 19 tetori 1912 deri më 23 prill 1913, duke shkruar: “Prej datës 19/x/1912 deri në dt 23/IV/1913, Shkodëra gjindej e rrethueme nga ushtria malazeze, qi vazhdimist e rrahte qytetin në top.”
Prelaj vlerëson aftësitë organizative dhe ushtarake të komandantit Hasan Riza Pasha, të cilin e paraqet si një figurë të rëndësishme të mbrojtjes së qytetit. Në rrëfimin e tij përshkruhen bombardimet, shkatërrimet materiale, humbjet njerëzore dhe mungesa e ushqimeve, të cilat rënduan ndjeshëm gjendjen e popullsisë shkodrane.
Duke vlerësuar qëndresën e qytetit, autori shprehet: “Mali i Zi, me 7 muej luftë, së mujt me ba asnji perparim, por ngeli gjithmonë ndër fronte të luftës të ditvet të para” (nr. 35).
Një aspekt tjetër me rëndësi në dëshminë autobiografike të Prelajt është bashkëpunimi fillestar ndërmjet kryengritësve shqiptarë të Malësisë së Madhe dhe forcave malazeze kundër ushtrisë osmane. Sipas autorit, shqiptarët kishin besuar se ndihma e Malit të Zi nuk shoqërohej me pretendime territoriale. Zhvillimet e mëvonshme, megjithatë, nxorën në pah kundërshtinë ndërmjet aspiratave shqiptare për liri dhe synimeve politike e territoriale të Mbretërisë së Malit të Zi.
“Kryengritsit shqyptarë, tue mashtrue: se Mali i Zi i u ka ardhë në ndimë, pa pretendime tjera, u bashkuen me tan ë perleshje kundra turkut, por kjenë rrejtë” (nr. 35).
Autobiografia ndriçon gjithashtu bashkërendimin e politikës dhe të veprimtarisë ushtarake serbo-malazeze gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Prelaj përshkruan pushtimin e Lezhës nga ushtria serbe, më 19 nëntor 1912, dhe praninë e forcave malazeze në Shëngjin. Sipas tij, këto zhvillime përbënin pjesë të përpjekjeve të përbashkëta për zotërimin e territoreve shqiptare dhe pushtimin e Shkodrës. Autori shkruan se Serbia “u suell me i ndimue Malit të Zi me hi në Shkodër”. Në vazhdim, ai pohon: “Serbët e Malazezët qindruen në Lesh e në Sh’Njin pak ditë mbasi ra Shkodëra, të cilët kjenë detyrue me u largjue, mbas vendimit të konferencës së Londers” (nr. 36).
Një ndër dëshmitë më të rëndësishme të autobiografisë lidhet me hartimin dhe përcjelljen e memorandumit të Shkodrës, drejtuar diplomacisë evropiane. Në kushtet e izolimit të qytetit dhe të ndërprerjes së komunikimeve me botën e jashtme, komandanti Hasan Riza Pasha, në bashkëpunim me argjipeshkvin e Shkodrës, Imzot Jak Serreqin, me përfaqësuesit konsullorë të Austrisë, Francës dhe Italisë, si dhe me përfaqësues të parisë qytetare, ndërmori nismën për hartimin e një dokumenti diplomatik që kërkonte njohjen e të drejtave kombëtare shqiptare dhe kundërshtonte aneksimin e Shkodrës nga Mali i Zi.
Në tekstin e memorandumit, të riprodhuar nga Prelaj, thuhet: “Shkodëra sod gjindet e rrethueme, por nuk ka me i a çilë dyrët kurr anmikut, por, a fituese ose e shueme krejtsisht.” Ky dokument, sipas dëshmisë autobiografike, shprehte vendosmërinë e përfaqësuesve të qytetit për të kundërshtuar sundimin malazez dhe për të mbrojtur pavarësinë kombëtare shqiptare (nr. 37).
Rëndësi të posaçme historike merr pjesëmarrja personale e Atë Marjan Prelajt në përcjelljen e këtij memorandumi. Dokumenti ishte nxjerrë fshehurazi nga Shkodra prej Lazër Gurakuqit, i cili, me ndërmjetësimin e ipeshkvit të Zadrimës, Imzot Gjergj Kolecit, ia kishte besuar Atë Marjan Prelajt, guardianit të kuvendit françeskan të Troshanit.
Memorandumi, i fshehur në shollët e këpucëve, u përcoll deri në Shëngjin, ku iu dorëzua përfaqësuesit austriak për t’u dërguar në Vjenë dhe në Londër.
Për këtë veprimtari, autori dëshmon: “Letra, memorandumi, u dorëzue në Sh’Njin me 21/XI/1912, e cila mrrijti në Vjenë e në Londër” (nr. 37). Kjo ngjarje dëshmon rolin e strukturave kishtare katolike shqiptare në krijimin e lidhjeve ndërmjet përfaqësuesve të Shkodrës së rrethuar dhe diplomacisë ndërkombëtare. Angazhimi i françeskanëve dhe i hierarkisë ipeshkvore tejkalonte kuadrin e veprimtarisë baritore, duke marrë karakter diplomatik, qytetar dhe kombëtar.
Në vazhdim të përpjekjeve për mbrojtjen e Shkodrës, u përgatit edhe një shkresë tjetër diplomatike për Vjenën dhe Londrën, me dijeninë dhe pëlqimin e komandantit Hasan Riza Pasha. Për përcjelljen e saj u angazhua Atë Severin Lushaj, famullitar i Lezhës, ndërsa Motrat Stigmatine ndihmuan në fshehjen e dokumentit brenda konopit të petkut françeskan.
Në këtë kontekst, Prelaj përshkruan edhe vrasjen e Hasan Riza Pashës, më 30 janar 1913, përgjegjësinë për të cilën autori ua atribuon njerëzve të Esat Pashë Toptanit. Pavarësisht nga rrethanat e krijuara, Atë Severin Lushaj arriti të largohej nga qyteti më 31 janar 1913 dhe të vazhdonte misionin diplomatik.
Duke vlerësuar kontributin e dy françeskanëve, autobiografia përcjell këtë dëshmi: “tue e dashtë sinçerisht atmen e vet, si atdhetarë të vertetë, i sherbyen vendit me heroizem” (nr. 38).
Përveç dimensionit politik dhe diplomatik, Atë Marjan Prelaj trajton edhe pasojat humanitare të rrethimit të Shkodrës. Mungesa e bukës dhe e ushqimeve kishte rënduar jetën e qytetarëve dhe të bashkësive rregulltare. Në këto rrethana, françeskanët e Troshanit ndërmorën nismën për sigurimin e dhjetë kuintalëve grurë për kuvendet e Gjuhadolit dhe të Arrës së Madhe. “Ishte i 7 muej qi Shkodra gjindej e rrethueme e vujte për bukë”, – shkruan Prelaj.
Pas përfundimit të rrethimit, më 23 prill 1913, Atë Pal Çuçija, guardian i kuvendit të Arrës së Madhe, mbërriti në Troshan, duke sjellë një copë buke të përzier me barishte dhe me një sasi shumë të vogël mielli, si dëshmi të gjendjes së rëndë ushqimore. Menjëherë u dërguan dy kuintalë miell, ndërsa më vonë edhe tetë kuintalë grurë (nr. 39). Dëshmia e Prelajt merr rëndësi të mëtejshme në trajtimin e pushtimit të dytë malazez të Shkodrës gjatë vitit 1915, kur qyteti u gjend përsëri përballë cenimit të institucioneve dhe të jetës së tij fetare.
Sipas autobiografisë, komandanti malazez, gjenerali Veshoviq, i cili ushtronte pushtetin në Shkodër, kishte urdhëruar lirimin e Katedrales dhe të Kishës Françeskane të Gjuhadolit për strehimin e ushtrisë serbe. “Komandanti I Malit të Zi, qi sundote Shkodrën, Gjeneral Vesovic, [...] dha urdhen, nëpër komandë serbe, qi të liroheshin sa ma parë të dyja kishët katolike të Shkodërs, katedralja e kisha françeskane, Gjuhadol.” Urdhri i 22 dhjetorit 1915 shkaktoi shqetësim të thellë ndërmjet besimtarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve kishtare, veçanërisht për shkak të afrimit të festës së Krishtlindjes.
Përballë kësaj gjendjeje, Atë Marjan Prelaj ndërhyri personalisht pranë komandantit të lartë serb, gjeneralit Zhivko Pavloviq, duke argumentuar domosdoshmërinë e respektimit të objekteve të kultit dhe të ndjenjave fetare të popullsisë shkodrane. “Shkodra asht nji qytet shum religjoz, e, me iu ba kjo dhunë, me i perdorë kishët për vend kazermash, këjo ka me metë shum e shqetsume, e njikosisht ka me metë nji kujtim jo i mirë për kohët e ardhshme.” Si rezultat i ndërhyrjes së tij, komanda serbe nxori dy shkresa zyrtare, nëpërmjet të cilave ndalohej hyrja e ushtrisë në të dyja kishat katolike të Shkodrës. Kështu, Katedralja dhe Kisha Françeskane e Gjuhadolit shpëtuan nga shndërrimi në objekte ushtarake (nr. 53).
Në përshkrimin e përfundimit të pushtetit malazez dhe të hyrjes së ushtrisë austro-hungareze në Shkodër, më 23 janar 1916, Prelaj paraqet gjendjen e mëparshme të qytetit me shprehjen domethënëse: “qyteti i okupuem e i shtypun nga malazezet”.
Autori përmend cenimin e pavarësisë shqiptare, marrjen e territoreve dhe pushkatimet e shqiptarëve të pafajshëm, të cilat, sipas dëshmisë së tij, kishin ndikuar në qëndrimin e popullsisë ndaj largimit të administratës malazeze. Me interes të veçantë është përshkrimi i uljes së flamurit malazez dhe i ngritjes së flamurit shqiptar dhe atij austriak: “N’atë ditë, qi hini Austria në Shkodër,, mbas dreke, u mblodh populli i panumërt para postës, ku, mbasi, kje ulë flamuri i Malit të Zi, u ngreh ai i Shqypnis e i Austris, mes brohoritvet e të dorëtrokitjevet të parshtuna, më sa të gjitha fëtyrat e qytetarvet shifeshin të shndrituna e zemrat të mushna në gëzim” (nr. 54, d).
Në tërësinë e saj, dëshmia autobiografike e Atë Marjan Prelajt përbën një kontribut të çmuar për historiografinë shqiptare lidhur me rrethimin e Shkodrës gjatë viteve 1912–1913, pushtimin malazez, zhvillimet diplomatike, krizën humanitare dhe rikthimin e sundimit malazez gjatë viteve 1915–1916. Ajo evidenton njëkohësisht kontributin e klerit katolik shqiptar në mbrojtjen e interesave kombëtare, të institucioneve fetare dhe të dinjitetit qytetar.
Vlera dokumentare e autobiografisë qëndron sidomos në faktin se autori ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në disa prej ngjarjeve të përshkruara. Megjithatë, duke qenë se kujtimet u hartuan në vitin 1967, pohimet historike dhe kronologjike të tij duhen ballafaquar edhe me dokumentacionin diplomatik, ushtarak dhe kishtar të kohës. Pikërisht përballë këtyre dëshmive historike shtrohet pyetja: mbi çfarë dokumentacioni autentik arkivor, shkencor dhe juridik mbështeten pretendimet e ngritura sot në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër?
A ekzistojnë regjistra të mirëfilltë të varrimeve, dokumente kishtare, akte shtetërore apo dëshmi të tjera autentike, të cilat vërtetojnë identitetin dhe vendvarrimin e ushtarëve serbë që pretendohet se prehen aty?
Dëshmitë e Atë Marjan Prelajt dokumentojnë praninë dhe veprimtarinë ushtarake serbo-malazeze në Shkodër, por nuk përbëjnë në vetvete provë për ekzistencën apo mosekzistencën e varreve të pretenduara në Rrmaj. Pikërisht për këtë arsye, nevojitet një hulumtim i posaçëm dokumentar dhe institucional.
Respektimi i të vdekurve është një detyrim njerëzor, moral dhe qytetërues, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare, fetare apo shtetërore. Mirëpo, respektimi i kujtesës së të vdekurve nuk duhet të shndërrohet në instrument të deformimit të historisë, të relativizimit të përgjegjësive ushtarake apo të mohimit të vuajtjeve të popullsisë shqiptare.
Prandaj, reagimi i studiuesit dr. Dom Nikë Ukgjini duhet të merret seriozisht nga institucionet përgjegjëse të shtetit shqiptar, nga ministritë përkatëse, nga Bashkia e Shkodrës, nga institucionet e trashëgimisë kulturore, nga komuniteti akademik dhe nga autoritetet kishtare.
Varrezat e Rrmajit nuk janë vetëm një hapësirë varrimi, por edhe një monument i kujtesës historike, shpirtërore, kulturore dhe kombëtare shqiptare. Mbrojtja e tyre kërkon përgjegjësi institucionale, transparencë dhe respektim të dokumentacionit historik. Pra,pajtimi ndërmjet popujve nuk ndërtohet mbi deformimin e së kaluarës, por mbi njohjen e së vërtetës, respektimin e viktimave dhe pranimin e përgjegjësive historike përmes dëshmive relevante.