BE synon ish-ushtarët rusë, bankat dhe sportin në një valë të re sanksionesh

Evropë

BE synon ish-ushtarët rusë, bankat dhe sportin në një valë të re sanksionesh

Nga: Bota sot Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 19:15
Ursula von der Leyen

Bashkimi Evropian (BE) synon të vërë në shënjestër ish-ushtarët rusë, bankat, platformat e kriptomonedhave dhe ekipet sportive, në paketën e saj të 22-të të sanksioneve kundër Moskës që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Këtë e bëri të ditur sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raporton KosovaPress.

“Ne po i japim Ukrainës forcën për të siguruar paqen. Dhe Rusisë, çdo arsye për ta zgjedhur atë,” tha von der Leyen në një mesazh video të regjistruar paraprakisht, me të cilin prezantoi paketën e re.

Një masë kryesore parashikon kufizimin e vizave për ish-ushtarët rusë. BE-ja kishte rënë dakord për një kornizë ligjore lidhur me këto kufizime në paketën e mëparshme të sanksioneve gjatë verës, por ende nuk i ka vënë ato në zbatim.

“Ish-luftëtarët rusë përbëjnë një rrezik sigurie për Evropën. Atyre nuk mund t’u lejohet të lëvizin lirisht nëpër vendet tona,” tha von der Leyen, duke iu referuar përshkallëzimit të fundit të operacioneve të fshehta ruse në Evropë.

Komisioni synon gjithashtu të shtojë 70 anije në listën e sanksioneve, duke vënë në shënjestër të ashtuquajturën “flotë hije” të Rusisë, të cilën Moska e përdor për të eksportuar naftë dhe mallra të tjera.

Gjithashtu, kompanive evropiane do t’u ndalohet riparimi i rafinerive ruse që janë dëmtuar nga sulmet me dronë ukrainas. Qytetarëve të BE-së nuk do t’u lejohet më të jenë anëtarë të bordeve në kompanitë ruse.

Lidhur me sportin, Komisioni po propozon të ndalojë ekipet dhe atletët rusë të garojnë në bllok, një veprim që do ta pengonte Rusinë të rikthehej në kampionatin botëror të hokejit në akull vitin e ardhshëm në Gjermani.

Mbyllja e boshllëqeve të sanksioneve dhe goditja e financave në hije është një tjetër fokus i paketës. Komisioni dëshiron të shkëpusë 60 banka të tjera nga sistemet ndërkombëtare të pagesave dhe të synojë kriptomonedhat dhe rrjetet e pagesave të përdorura për të anashkaluar sanksionet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat