Kievi kërkon përgjigje konkrete për garancitë e sigurisë para takimit katërpalësh

Evropë

Kievi kërkon përgjigje konkrete për garancitë e sigurisë para takimit katërpalësh

Nga: Bota sot Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 16:07
Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vendi i tij është gati për një takim katërpalësh me Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe Rusinë që nesër, në kuadër të përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Zelensky tha se partnerët duan që takimi të mbahet para Krishtlindjeve, por Kievi shpreson që ai të ndodhë edhe më herët. Sipas tij, bisedimet kërkojnë një agjendë të qartë, të dakorduar paraprakisht mes Ukrainës, Evropës dhe SHBA-së.

Zelensky theksoi se Evropa duhet të marrë pjesë plotësisht në negociata dhe tha se SHBA-ja ka pranuar përfshirjen e përfaqësuesve evropianë.

Ai kërkoi përgjigje konkrete për garancitë e sigurisë të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s: cilat shtete do ta mbështesin Ukrainën, çfarë do të bëjnë partnerët, cilat trupa do të vendosen në vend dhe sa do të kushtojë kjo. Sipas tij, diplomacia duhet të ecë paralelisht me ndihmën ushtarake dhe me sanksione të forta ndaj Rusisë. Ai shtoi se çdo marrëveshje duhet të sjellë paqe të qëndrueshme dhe jo vetëm një pauzë para një sulmi të ri rus.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha të hënën se bisedimet e reja trepalëshe mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë do të mbahen së shpejti, por data nuk është caktuar ende.

Deklaratat vijnë pas takimit të presidentit amerikan Donald Trump me Vladimir Putinin në samitin e APEC-ut në Shenzhen. Të premten, Trump tha se ka „një shans shumë të mirë” për t'i dhënë fund luftës, por refuzoi të flasë për garancitë e sigurisë para se të arrihet marrëveshja.

Jared Kushner kishte deklaruar se Rusia është bërë më e hapur ndaj garancive të ngjashme me Nenin 5. Megjithatë, zëvendësministri rus i Jashtëm, Sergej Rjabkov, refuzoi çdo formë që i ngjan anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat