Hungaria synon të ndalojë përmbajtjen LGBT për të miturit

Evropë

Hungaria synon të ndalojë përmbajtjen LGBT për të miturit

Më: 11 qershor 2021 Në ora: 13:49
Njerëzit marshojnë me një flamur të madh me ngjyra ylberi gjatë një parade të homoseksualëve në Budapest, në vitin 2019.

Partia në pushtet e Hungarisë Fidesz paraqiti një legjislacion, që do të ndalonte përmbajtjen që e sheh si promovim të homoseksualitetit dhe ndryshimit të gjinisë, për të miturit.

Legjislacioni do të ndalonte literaturën e komunitetit LGBT për nën 18-vjeçarët, përfshirë materialin arsimor dhe reklamat që konsiderohet se promovojnë të drejtat e homoseksualëve.

Partia Fidesz dhe aleatët e saj kanë shumicën në Parlament - gjë që siguron edhe kalimin e legjislacionit.

Disa grupe të të drejtave të njeriut e dënuan atë, duke thënë se masa është e ngjashme me kufizimet që bëhen në Rusi.

Njëri nga këto grupe, Shoqëria Hatter, tha se propozimi i Fidesz-it “do të frenonte seriozisht lirinë e fjalës dhe të drejtat e fëmijëve”.

Qeveria e Hungarisë dhe ajo e Polonisë janë nën hetime të Bashkimit Evropian, për shkelje të dyshuara të standardeve të BE-së.

Asnjëri prej këtyre vendeve nuk i njeh martesat midis çifteve të gjinisë së njëjtë.

Kushtetuta e Hungarisë thotë se martesa është për çiftet heteroseksuale.

Partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban po përgatitet për zgjedhjet në fillim të 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat