FBI hyn në vilën e oligarkut rus Oleg Deripaska

Evropë

FBI hyn në vilën e oligarkut rus Oleg Deripaska

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 21:56
FBI

Agjentët federalë zhvilluan "aktivitet për zbatimin e ligjit" të martën në rezidencën në Uashington të oligarkut rus Oleg Deripaska, një aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimit Putin.

Agjentët zhvilluan "një aktivitet për zbatimin e ligjit të autorizuar nga gjykata", tha një zëdhënës i FBI-së. Zyrtarë nuk ofruan informacione të mëtejshme për rrethanat e prezencës së tyre, apo ndonjë informacion për hetime të mundshme ku mund të përfshihet zoti Deripaska.

Shtetasi i pasur rus që e ngriti pasurinë nëpërmjet biznesit të aluminit, është një aleat i ngushtë i zotit Putin dhe u përmend disa herë në raportin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Image
Oleg Deripaska ecën së bashku me Presidentin Putin pas një takimi ndërkombëtar në vitin 2017

Zoti Deripaska mbante lidhje edhe me Paul Manafortin, ish-drejtori i fushatës elektorale të ish-Presidentit Trump, i cili u gjet fajtor për tetë krime financiare në kuadrin e hetimeve të Prokurorit Mueller. Zotit Manafort iu dha më vonë falja nga Presidenti i atëhershëm Trump.

Gjatë administratës së ish-Presidentit Trump, Departamenti i Thesarit kishte hequr gjithashtu sanksionet financiare ndaj tre kompanive të lidhura me zotin Deripaska. Zyrtarët thanë në atë kohë se kishin vepruar kështu pasi aksionet e drejtpërdrejta dhe indirekte të zotit Deripaska në këto kompani ishin zvogëluar deri në pikën që ai nuk kishte më kontroll mbi to./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat