Spanja përshpejton ndihmën për ishullin La Palma

Evropë

Spanja përshpejton ndihmën për ishullin La Palma

Më: 24 tetor 2021 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Spanja do të përshpejtojë ndihmën për ishullin La Palma pasi vullkani shkatërroi shumë shtëpi dhe biznese që prej shpërthimit të tij më 19 shtator.

Vullkani në ishullin La Palma vazhdon prej më shumë se një muaji të lëshojë llavë dhe hi të zi dhe duke shtuar probleme për banorët.

Qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez ka premtuar fonde shtesë krahas ndihmës paraprake prej 63 milionë euro.

“Në mbledhjen e kabinetit të martën e ardhshme ne do të bëjmë një modifikim buxhetor për të përshpejtuar ardhjen e burimeve ekonomike si për Planin e Punësimit ashtu edhe për ndihmën për të gjithë sektorin e bujqësisë dhe peshkimit,” tha Sanchez në një konferencë për shtyp gjatë vizitës së tij të pestë në ishull që nga fillimi i shpërthimit.

Në fillim të tetorit, Sanchez njoftoi se qeveria do të ndante 206 milionë euro për ishullin për të rindërtuar infrastrukturën dhe për të nxitur punësimin, bujqësinë dhe turizmin.

Përzierja e hirit të vullkanit me shiun shihet shumë problematike, pasi kombinimi i tyre mund të prodhojë material të rëndë që mund të dëmtojë banesat.

“Shiu e bën më të vështirë. Ai e bën hirin të fortë si çimentoja”, tha një qytetar.

Kryeministri u premtoi qytetarëve që Spanja do të jetë pranë tyre deri në fund të kësaj krize.

“Dua t’u them banorëve që të mos dëshpërohen. Të mos braktisin shpresën, se solidariteti i popullit spanjoll ka mbërritur në ishull dhe se qeveria e Spanjës do të jetë aty çdo ditë që kjo krizë do të zgjasë, deri në fund të saj”, tha kryeministri Sanchez.

Llava e vullkanit në ishullin La Palma ka mbuluar pothuajse 900 hektarë tokë, duke shkatërruar mbi 2000 ndërtesa dhe shumë plantacione bananesh. Më shumë se 7,000 njerëzve u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat