​Bjellorusia ndalon importin e mallrave perëndimore dhe fluturimet e linjave ajrore nga BE e Britania

Evropë

​Bjellorusia ndalon importin e mallrave perëndimore dhe fluturimet e linjave ajrore nga BE e Britania

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 21:23
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko

Bjellorusia njoftoi sot se ka vendosur kufizime hakmarrëse në fluturimet e linjave ajrore nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe dhe se po ndalon importin e mallrave perëndimore nga vendet që vendosën sanksione ndaj saj.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bjellorusisë njoftoi se ndalimi i importit është një përgjigje ndaj "presionit të paligjshëm të sanksioneve të jashtme që synojnë minimin e sovranitetit të Bjellorusisë dhe përkeqësimin e mirëqenies së qytetarëve bjellorusë".

Qeveria bjelloruse nuk ka publikuar ende një listë të mallrave perëndimore, importi i të cilave është i ndaluar.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja vendosën sanksione ndaj dhjetëra zyrtarëve, organizatave dhe kompanive bjelloruse në të njëjtën kohë javën e kaluar.

Brukseli ka vënë në shënjestër individë dhe subjekte që BE-ja i akuzon se kanë marrë pjesë në një “sulm hibrid”, pra dërgimin e emigrantëve aziatikë nga Bjellorusia në kufijtë e Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë.

BE gjithashtu ka ndaluar hyrjen dhe ka ngrirë fondet e 17 personave të tjerë nga Bjellorusia, duke përfshirë roje kufitare dhe zyrtarë ushtarakë, zyrtarë qeveritarë dhe gjyqtarë.

Masat prekën gjithashtu linjat ajrore bjelloruse, duke përfshirë Belavia-n shtetërore, dhe grupet turistike, të cilat BE-ja i akuzon se ndihmuan në sjelljen e emigrantëve në Bjellorusi, në mënyrë që ata të mund të lëvizin më pas në BE.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, deklaroi sot se sanksionet nuk do të sjellin dëme të konsiderueshme.

Ai tha se Bjellorusia kishte arritur të mbështesë rritjen ekonomike. Ekonomia ra me 0.9 për qind vitin e kaluar, por në vitin 2021, sipas parashikimeve të tetorit të Bankës Botërore, produkti i brendshëm bruto pritet të rritet me 1.2 për qind.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat