Forumi Ekonomik Botëror mbahet me prezencë në maj

Evropë

Forumi Ekonomik Botëror mbahet me prezencë në maj

Më: 21 janar 2022 Në ora: 19:58
Pamje nga Hoteli në Davos ku zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror.

Takimet vjetore të Forumit Ekonomik Botëror, të caktuara fillimisht në muajin janar, do të zhvillohen në Davos, Zvicër nga 22 deri më 26 maj.

“Pas të gjitha takimeve virtuale në dy vjetët e fundit, liderë nga politika, biznesi dhe shoqëria civile, do të takohen më në fund personalisht”, ka thënë themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i këtij Forumi, Klaus Schwab, përmes një deklarate.

Edicioni këtij viti pritet të shënojë herën e parë që liderët botërorë do të takohen personalisht, prej shpërthimit të pandemisë.

Vitin e kaluar konferenca është anuluar për shkak të pandemisë dhe data tradicionale në fillim të këtij viti është anuluar po ashtu, për shkak të përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit.

Sipas organizatorëve, disa prej temave që do të diskutohen në Davos janë ato për rimëkëmbje të ekonomisë globale pas pandemisë, luftimi i ndryshimeve klimatike dhe ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë në punë.

Megjithatë edhe datat e muajit maj nuk janë të konfirmuara 100 për qind.

Takimet në Davos janë mbajtur për dekada, me disa përjashtime.

Përgjatë konferencës, udhëheqësit e shteteve dhe organizatat ndërkombëtare shkëmbejnë pikëpamje për çështje të aktualitetit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat