Sindroma britanike: Të zhgënjyer, por jo të penduar për Brexit

Evropë

Sindroma britanike: Të zhgënjyer, por jo të penduar për Brexit

Më: 25 janar 2022 Në ora: 14:50
Foto ilustrim

Të zhgënjyer, por jo të penduar. Një lloj sindromi ku Stokholmi është zhvendosur këtë herë buzë lumit Tamiz në Londër. Sipas një sondazhi të “The Observer”saktësisht 1 vit pas daljes zyrtare nga unioni, 6 nga 10 votues britanikë mendojnë se Brexit ka ecur më keq sesa prisnin ata.

Pra nuk ishte një proces i lehtë. Edhe në mesin e atyre që votuan në favor të shkëputjes nga BE,42 për qind janë të pakënaqur. Në përgjithësi, vetëm 14 për qind e të anketuarve mendojnë se Brexit ishte një sukses. Por siç e thekson edhe “The Times”, shifra të ngjashme nuk përkthehen në një pendesë për votën pro Brexit në referendum.

Kjo shifër ka mbetur e qëndrueshme me kalimin e kohës, me pak devijime të vogla. Pra nëse britanikët do mund të shpreheshin edhe njëherë me votë mbi këtë çështje, nuk është e sigurt se rezultati do të ishte i ndryshëm nga ai i vitit 2016. Trashëgimia e vërtetë e Brexit është një vend i përçarë ose anasjelltas.

Një nga hulumtimet më të fundit, i publikuar në “Journal of Elections, Public Opinion and Parties” nga Martin Ejnar Hansen, lektor mbi politikat publike evropiane në Universitetin Brunel në Londër, ka të bëjë pikërisht me këtë temë. Në studimin e tij me titull:“A po e përçan ende elektoratin? Brexit dhe vlerësimi i votuesve”, Hansen arrin në përfundimin se në praktikë, në Britani gjykimi mbi Brexit është bërë një shtytës politik po aq i fortë sa edhe përkatësitë e tjetra partiake.

Pra nuk ka vetëm Laburistët dhe Konservatorë, por edhe “Leaver” (mbështetësit e largimit) dhe “Remainer”(mbështetësit e qëndrimit në BE), që janë shndërruar në etiketa që përcaktojnë identitetin politik të qytetarëve. “Ka konservatorë – shpjegon Hansen – që në vitin 2016 zgjodhën qëndrimin në BE dhe tani nuk kanë ku të shkojnë, por ata nuk votojnë kundër Partisë Konservatore.

Ndërkohë laburistët nën drejtimin e Jeremy Corbyn nuk bënë një fushatë aq të zjarrtë pro qëndrimit në BE sa mund të pritej nga një parti e majtë. Atyre iu deshën 4 vjet që të pranojë rezultatin e referendumit, dhe për rrjedhojë vullnetin popullor të britanikëve.

Brexit kishte në fakt potencialin për ta shkatërruar sistemin partiak, dhe me një ligj tjetër zgjedhor, si ai proporcional, kjo gjë do të kishte ndodhur me siguri. Por Brexit ishte gjithashtu përgjigja ndaj globalizimit.

Shumë qytetarëve u ndjenë si të lënë pas dore,dhe elitat nuk arritën t`i shpjegonin si duhet përfitimet nga të mbeturit pjesë e një komuniteti evropian, ose nuk deshën që ta bënin këtë.

Kishte një tendencë të qartë për të mos e anashkaluar euroskepticizmin, por për të thënë “Kjo gjë gjithsesi nuk do të ndodhë kurrë!”, është leksioni që duhet të mësojë Evropa.

Po ashtu ekziston një paradoks i ngjashëm me atë të referendumit: Me një diferencë shumë të madhe, 57 kundër 9 për qind, një vit më parë të intervistuarit shpresonin se parlamenti do ta ratifikonte shumë shpejt kompromisin me Brukselin para Krishtlindjeve të vitit 2020. Por vetëm 17 për qind e tyre e panë atë si një marrëveshje të mirë për Britaninë.

Mbulimi mediatik, apo kokëfortësia proverbiale e britanikëve, mund të ketë ndikuar në këtë qëndrim. Por do të ishte shumë banale që të justifikohej politika me stereotipet kombëtare.“Ideja e euroskepticizmit nuk është e re, ajo gjallon edhe në Evropën kontinentale. Në Angli ka më shumë euroskepticizëm, dhe fërkimet e brendshme brenda Partisë Konservatore e kanë nxjerrë atë në pah. Vendi ishte i përçarë edhe para Brexit-it:Nëse një ditë do të votohet për ribashkimin me BE-në, dhe do të dominojë kjo kauzë, përqindja e atyre që do të votonin pro nuk do të ishte shumë e thellë në raport me ata që do të votonin kundra. Ndërkohë, në një referendum hipotetik për të qëndruar brenda Bashkimit,në disa vende evropiane do të shihnim një shumicë të qartë.

Por krahasuar me shtetet e tjera, në Britani çështjet si Brexit dhe Evropa kanë një vëmendje aq të madhe sa nuk e kanë në asnjë vend tjetër, ku zakonisht prioritetet janë shëndetësia, papunësia apo shkollimi. Në Britani, ato janë gjëra shumë të rëndësishme për njerëzit, madje pjesë e identitetit britanik.

Zakonisht, mbahet mend vetëm slogani i parë zgjedhor i Johnson “Të përfundojmë Brexit”, që është i vetmi premtim që ka arritur të mbajë. Por në fushatën elektorale të vitit 2019, ai përdori edhe sloganin “Çliro potencialin e Britanisë së Madhe”. Një potencial që deri më tani nuk është parë askund.

Sa i përket ekonomisë, Brexit në terma afatgjatë do të sjellë një rënie me 15 për qind të importeve dhe eksporteve,krahasuar me një skenar ku ishulli do të mbetej pjesë e BE-së. Gjithsesi Britania ishte në gjendje të nënshkruante vitin e kaluar marrëveshje të veçanta të tregtisë me Australinë dhe Zelandën e Re, dhe këtë vit me Kanadanë, Meksikën dhe Indinë.

Ndërkohë, britanikët janë nënegociata për t’iu bashkuar marrëveshjes globale të Partneritetit të Trans-Paqësorit (CPTP). Por përtej retorikës, ato nuk janë marrëveshje shumë fitimprurëse. Kështu, ajo me Zelandën e Re do të rrisë me vetëm 0.01 për qind produktin e brendshëm bruto deri në vitin 2035, ndërsa ajo me Australinë 0.08 për qind.

Në nivel diplomatik, Brexit ka shkaktuar fërkime të pashmangshme me Evropën kontinentale. Sot marrëdhëniet e Britanisë me Irlandën, Francën dhe Gjermaninë janë në nivelin më të ulët historik të pas luftës. Londra mund të përqendrohet tani në zona të tjera të botës, si Japonia, India dhe Australia.

Por përderisa kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz, i cili vizitoi Parisin dhe Romën, nuk e ndjeu nevojën për të biseduar edhe me kryeministrin Johnson rreth 2 javë pas marrjes së detyrës, atëherë ajo nuk perceptohet më si një superfuqi.

Qeveria britanike është aktualisht me fat që pandemia po zë titujt kryesorë të mediave, në vend të shqetësimit të shkaktuar nga Brexit. Sepse njerëzit nuk u paralajmëruan se çfarë do të ndodhte. Por mbi të gjitha, ne nuk i kemi parë ende pasojat reale të Brexit, të cilat do të jenë afatgjata. Udhëtarët me pasaporta britanike do të detyrohen të marrin viza për të shkuar në Evropë.

Shumë qytetarë evropianë janë kthyer në shtëpitë tyre: pjesërisht sepse punët atje nuk paguhen më aq mirë, dhe pjesërisht për të shmangur procedurat burokratike për të marrë statusin e rezidentit. Dhe kjo situatë po krijon shumë probleme. Në shumë restorante dhe bare, menaxherët ankohen se e kanë shumë të vështirë të gjejnë punonjës të rinj.

Londra ishte dikur një “një e afërme e mitur” e Ëndrrës së madhe Amerikane. Breza të tërë kanë shkuar të jetojnë në këtë metropol, ose në periferitë e ish-perandorisë, për të kërkuar fatin e tyre, apo edhe vetëm për të fituar bukën e gojës. Por sot Britania e Madhe nuk është më aq tërheqëse.

Për herë të parë ndër dekada, numri i qytetarëve të BE-së që largohen nga vendi, e ka tejkaluar numrin e atyre që shkojnë atje. Vitin e fundit ky bilanc ishte minus 94 mijë persona. Edhe udhëtimet për qëllime studimore kanë rënë në mënyrë dramatike.

Në të dyja rastet nuk mund të jetë “vetëm” faji i pandemisë, por edhe sistemi i vizave dhe pengesat burokratike për hyrjen në ishull. “Mendoj se Brexit është edhe një humbje kulturore. Nëse studentët evropianë​​do të duan të shkojnë në një vend që flitet anglisht, tashmë ata do preferojnë Irlandën. Programi Turing nuk do të funksionojë kurrë aq mirë sa Erasmus. Bota akademike është e hapur për nga natyra, por duhet të merren parasysh edhe aspektet teknike. I druhem një qasjeje më izolacioniste në të ardhmen”- thekson Hansen.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat