Frika dhe pasiguria nxit mobilizimin e civilëve në Ukrainë

Evropë

Frika dhe pasiguria nxit mobilizimin e civilëve në Ukrainë

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 19:40
Foto ilustrim

Në tetë vitet e fundit, Ukraina ka qënë në një gjendje të përhershme gatishmërie, me kërcënimin e vazhdueshëm të ndërhyrjes ruse në territorin e saj. Frika dhe tensionet kanë bërë që shumë civilë të kërkojnë trajnime ushtarake për t'u përgatitur në rast konflikti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina njofton nga Kievi.

Në periferi të Kievit, një grup prej rreth 200 burrash dhe grash po marrin pjesë në trajnime ushtarake. Këta civilë u janë bashkuar Forcave të Mbrojtjes Territoriale, një grup rezervistësh i krijuar nga autoritetet për të mbështetur Forcat e Armatosura të Ukrainës në rast konflikti. Ata stërviten në kohën e tyre dhe i blejnë vetë armët.

"Unë jam këtu për të mësuar teknikat e luftimit dhe për të mbështetur ushtrinë në mbrojtjen e Ukrainës", thotë Yuri.

Presioni ushtarak rus mbi Ukrainën, me një dislokim të madh trupash afër kufirit të saj lindor, ka ngritur edhe një herë mundësinë e luftës. Për shumë njerëz këtu, pyetja nuk është nëse do të ketë luftë, por kur do të fillojë ajo.

Putini beson se nuk ka asnjë vend të quajtur Ukrainë dhe se ai duhet ta kontrollojë atë. Duke qenë se ai nuk mund ta bënte këtë duke ndryshuar qeverinë e vendit nga brenda, i ka mbetur vetëm opsioni ushtarak”, thotë Denis Semirog Orlik nga brigada e 112-të e Mbrojtjes Territoriale.

Pas më shumë javësh raportimi intensiv të mediave për një konflikt të mundshëm, ata që janë përgjegjës për këto stërvitje duan të ulin tensionet mes popullatës ukrainase, dhe po bëjnë thirrje për qetësi.

"Komandantët tanë na thonë: "Pastroni armën, përgatituni dhe mos u frikësoni". Kjo është mënyra ukrainase e përballjes me situatën”, thotë Artiom Sokhan, instruktor i stërvitjes.

Të nesërmen, këta burra dhe gra do të kthehen në punët e tyre të zakonshme, ndërsa negociatat politike mes Moskës dhe Uashingtonit mund jenë përcaktuese në fillimin apo shmangien e një lufte./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat