Britanikët publikuan hartën prej nga mund të sulmonin rusët

Evropë

Britanikët publikuan hartën prej nga mund të sulmonin rusët

Më: 19 shkurt 2022 Në ora: 08:24
Harta e publikuar nga Britania

Ministria britanike e Mbrojtjes ka identifikuar shtatë rrugë përmes të cilave presidenti rus Vladimir Putin mund të nisë  pushtimin e Ukrainës.

Në një ilustrim të bazuar në xhirimet satelitore dhe burime të tjera të inteligjencës, tregon se si Putin mund të sulmojë së pari kryeqytetin ukrainas, Kiev, e pastaj edhe qytetin industrial Dnjepër.

Në hartën e re të publikuar në Twitter Ministria e Mbrojtjes tregon tri rrugë të mundshme për pushtimin e drejtuar kah Kievi, ndërsa tri të tjera janë treguar për Dnjepër, raporton Sky News.

Rruga e shtatë e mundshme e pushtimit ilustron se si forcat ruse mund të nisin një pushtim tokësor të Ukrainës përmes gadishullit të Krimesë të pushtuar, të cilin Putin e aneksoi në 2014, transmeton Paparaci.

Përveç hartës, Ministria e Mbrojtjes ka shkruar në Twitter: “Rusia mban një prani të konsiderueshme ushtarake që mund të kryejë pushtimin pa paralajmërim të mëtejshëm. Pushtimi i mundshëm i presidentit Putin tregohet më poshtë. Ai edhe më tutje mund të vendosë të parandalojë konfliktin dhe të ruajë paqen” .

Në atë që është përshkruar në hartë si lëvizje e mundshme tokësore e “fazës së dytë”, forcat ruse shfaqen duke lëvizur nga Krimea kah porti i rëndësishëm strategjik të Detit të Zi në Odesa.

Ata gjithashtu shfaqen duke lëvizur nga Dnjepri dhe më tutje në Ukrainën perëndimore drejt qytetit të Vinici. Harta identifikon zonat kryesore ku aktualisht janë mbledhur forcat ruse.

Janë paraqitur edhe dy rrugë të mundshme pushtimi që vijnë nga Bjellorusia, ku forcat ruse kohë më parë  kanë marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta. Putin është një nga aleatët e rrallë të qeverisë bjelloruse dhe të Aleksandar Lukashenkos, të cilin vendet perëndimore e konsiderojnë si diktator.

Burimet e mbrojtjes britanike theksojnë se harta përfaqëson vetëm një nga skenarët e mundshëm të pushtimit rus, por edhe për të ilustruar se si Rusia mban një prani të konsiderueshme ushtarake rreth Ukrainës.

Më herët të enjten, Ministria e Mbrojtjes hodhi poshtë edhe një herë pretendimet ruse se po tërheqë disa nga forcat e saj nga kufiri ukrainas pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake.

Liderët perëndimorë pohojnë se nuk janë plotësisht të bindur për këtë dhe se ende nuk kanë parë prova të tërheqjes së forcave ruse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat