Boris Johnson heq masat kufizuese të Covid-19 në Angli

Evropë

Boris Johnson heq masat kufizuese të Covid-19 në Angli

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 21:59
Boris Johnson

Kryeministri britanik Boris Johnson tha të hënën se do t'i jepte fund të gjitha masave kufizuese të koronavirusit në Angli, përfshirë vetëizolimin e detyrueshëm për njerëzit infektuar me COVID-19 dhe testet falas, duke shkaktuar skepticizëm në mesin e disa shkencëtarëve dhe kundërshtarëve të tij politikë.

Plani i kryeministrit Johnson "Jeta me COVID" alarmoi kritikët të cilën thonë se veprimet e tij janë të parakohshme dhe do ta lënë vendin të pambrojtur ndaj varianteve të reja virale, por qeveria britanike thotë se ka ofruar më shumë teste falas se shumica e vendeve të tjera dhe tani duhet të frenojë koston.

Ndërsa Hong Kongu ndërton njësi izolimi dhe Evropa po mban në fuqi rregullat e distancimit fizik dhe ato për vaksinimin e detyrueshëm, zoti Johnson po shfuqizon çdo masë kundër pandemisë që cenon liritë personale, duke thënë se është koha që publiku të marrë përgjegjësinë.

Ai do të mbështetet më shumë në shtimin e ritmit të vaksinimit me dozat përforcuese, që tani qeveria e tij po i ofron për grupet më të pambrojtura, si dhe ilaçet e tjera për trajtimin e COVID-19.

“Kufizimet janë një barrë e rëndë për ekonominë, shoqërinë, mirëqenien tonë mendore dhe fëmijët tanë, dhe ne nuk kemi nevojë ta paguajmë më atë kosto”, tha kryeministri Johnson në parlament.

"Pra, ne duhet të mësohemi si të jetojmë me këtë virus dhe të vazhdojmë të mbrojmë veten dhe të tjerët pa kufizuar liritë tona."

Zoti Johnson tha se detyrimi ligjor për t'u vetëizoluar për njerëzit që rezultojnë pozitivë me COVID-19 do të hiqet më 24 shkurt, ndërsa ofrimi i testeve falas do të përfundojë më 1 prill.

Por ai tha se do të mbetet në fuqi masa për monitorimin e koronavirusit, duke ofruar mundësinë e një përgjigje të shpejtë ndaj varianteve të reja, të cilat mund të përhapen shpejt.

Plani për të hequr kufizimet e mbetura ligjore është përparësi e shumë ligjvënësve të Partisë Konservatore të zotit Johnson, të cilët janë të pakënaqur me udhëheqjen e tij të shoqëruar me skandale dhe kanë kërcënuar përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet.

Qeveritë lokale të Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut kanë vendosur kufizimet e tyre për COVID-19, por fondet që duhet të shpenzojnë për testimet ndahen bazuar në vendimet e marra nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Udhëheqësit në Skoci dhe Uells kanë kritikuar planet e kryeministrit Johnson për të reduktuar numrin e testeve falas përpara njoftimit të së hënës, ndërsa udhëheqësi i opozitës Keir Starmer tha gjithashtu se plani i qeverisë ishte i konceptuar keq.

"Ne nuk mund ta ulim vëmendjen e Britanisë përpara se të fitohet lufta. Injoranca nuk është një qasje e përgjegjshme ndaj një virusi vdekjeprurës", tha kreu i Partisë Laburiste./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat