Ministri bullgar i Mbrojtjes shkarkohet për komentet pro-ruse

Evropë

Ministri bullgar i Mbrojtjes shkarkohet për komentet pro-ruse

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 15:55
Flamuri i Bullgarisë përpara ndërtesës së ministrisë së Jashtme në Sofje / faqja zyrtare e ministrisë së Jashme, Facebook

Kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov ka shkarkuar ministrin e Mbrojtjes të vendit të tij për komentet e konsideruara pro-ruse.

“Askush nuk ka të drejtë të bëjë politikë të jashtme për veten, veçanërisht në kohë krize”, u tha Petkov gazetarëve në Sofje, sidomos kur “Bashkimi Evropian është më i bashkuar se kurrë”.

Ministri Stefan Yanev është përballur me kritika për shmangien e përdorimit të fjalës ‘luftë’ për të përshkruar veprimet ruse në Ukrainë.

Në vend të kësaj ai i është referuar si një ‘operacion’ sulmit të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës.

Javën e kaluar Yanev dënoi “agresionin e papranueshëm” nga Moska, por u tha qytetarëve që të mos e përdorin me lehtësi termin “luftë”. Këtë fjalë vetë Vladimir Putin e shmang, tha Yanev.

Në Bullgari ditëve të fundit ka pasur thirrje të përsëritura që ai të japë dorëheqjen, duke përfshirë një peticion online që ka mbledhur mijëra nënshkrime.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat